Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një intervistë televizive sot, nënvizoi gatishmërinë e forcës së tij politike për të votuar pro amnistisë penale në Kuvend.
Sipas tij, sot Shqipëria ka një mbipopullim në burgje dhe barrë të madhe buxhetore për trajtimin e të dënuarve.
“Parlamenti si i tillë është vendi i uljes, negociatave dhe arritjes së kompromiseve për ato ligje që i bëjnë mirë vendit. Edhe akti i amnistisë është një akt mëshire që e bën parlamenti i Shqipërisë dhe jo forcat politike për t’i dhënë mundësi një kategorie të caktuar të dënuarish, sidomos ata me dënime të ulëta që të kenë mundësi të gëzojnë një falje nga ana e shoqërisë”, tha Idrizi.
Sipas tij, “kjo amnisti, bëhet shumë e rëndësishme duke parë mbingarkesën e sistemit tonë të burgjeve. Rreth 2 500 sot janë në paraburgim dhe 6 000 të tjerë që vuajnë dënime nga më të ndryshme. Kini parasysh faktin se Shqipëria sot e ka kapacitetin e burgjeve 105%, madje në të gjithë Evropën Lindore kemi numrin më të madh të burgosurve në raport me popullsinë. Ne kemi 176 të burgosur për 1000 banorë”, tha Idrizi.
“Ne jemi për ta votuar amnistinë, në çdo rast, siç kemi bërë dhe në vitet e shkuara. Ajo që nuk kuptoj unë është se ne shkojmë çdo të enjte në parlament, na thonë që ranë dakord se kanë futur një nen, kanë hequr një nen tjetër, dikush për një arsye, tjetri e do për arsye tjetër dhe në fund na thonë është prishur kompromisi”, nënvizoi Idrizi.
Idrizi u shpreh i bindur se në fund do ta gjejnë marrëveshjen për amnistinë.
Duke folur për situatën në opozitë, ai tha se sot PD s’po pranon mendimin ndryshe brenda vetes dhe jo më të pranojë ide të partive të tjera sovrane. “Në këto dy vite e gjysmë kemi parë luftë civile brenda PD. PDIU s’ka pse t’i marrë leje askujt dhe si ka asnjë borxh askujt për vendimmarrjen e saj”, tha Idrizi.
Në lidhje me votat për marrëveshjen për migrantët me Italinë, Idrizi shpjegoi se PS nuk kishte nevojë për votat e PDIU për ta miratuar.
“I kishte 74 votat. Nuk është votimi jonë as bashkim, pasi do kalonte kjo marrëveshje. Ne e bëmë këtë votim, për të thënë se gjeopolitikisht Italia është vend shumë i rëndësishëm, partnere dhe është gjendur gjithnjë pranë Shqipërisë. Kjo votë tregon se integrimi i Shqipërisë kalon nga Roma, Berlini, Londra, Parisi e Uashingtoni, jo nga Athina. Ne duhet të jemi politikanë të ndërgjegjshëm dhe s’duhet ta shohim politikën e jashtme në sytë e partisë, por në sytë e interesit kombëtar. Kjo opozitë sot, dje në qeveri ka votuar marrëveshjen e ujërave me Greqinë”, theksoi Idrizi./ata