Mazhoranca nisi sot zbatimin e një prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vendimin që shpalli antikushtetues ashpërsimin e dënimeve ndaj deputetëve në rregulloren e Kuvendit.

Në këshillin e legjislacionit relatori socialist Toni Gogu theksoi vullnetin e mazhorancës për të zbatuar vendimet e Kushtetueses. Gogu sqaroi se nuk është e nevojshme rishkrimi i rregullores së Kuvendit, pasi mjafton të hiqen nenet që janë shfuqizuar nga Gjykata.

“Ne i zbatojmë katërcipërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por duhet të ketë balancë mes disiplinës dhe lirisë së shprehjes”, tha deputeti Toni Gogu.

Në dhjetorin e vitit të kaluar kur opozita protestonte me flakadanë e bilbila në Kuvend, Partia Socialiste ndryshoi në mënyrë të njëanshme rregulloren e Kuvendit duke ashpërsuar dënimet ndaj deputetëve.

Demokratët goditen në Kushtetuese këto ndryshime duke fituar pjesërisht betejën kundër mazhorancës socialiste.

Gjykata sqaroi se nuk mund të përjashtohet një deputet për 60 ditë thjesht për prishje të seances dhe nuk mund t’i ndalohet deputetit që të hyjë në ambientet e Parlamentit apo të kryeje punën e tij si ligjvënës.

Kushtetuesja i dha të drejtë socialistëve vetëm për rastin e peërdorimit të mjeteve piroteknike brenda sallës së Parlamentit duke lënë në fuqi përjashtimin për 60 ditë./vizionplus.tv