Në kuadër të programit të Parlamentit Evropian për Liderët e Rinj në Politikë, në datat 23 dhe 24 shkurt u mbajt në Kuvendin e Shqipërisë, në Tiranë, Edicioni i katërt i “Bridging the gap”: Për pjesëmarrjen politike të rinisë dhe politikat rinore me parlamentarë dhe shoqërinë civile nga Ballkani Perëndimor”.

Në takim morën pjesë parlamentarë të rinj, ish-pjesëmarrës të programit dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky edicion u bashkëorganizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Njësia për Mbështetjen e Dialogut dhe Ndërmjetësimit e Parlamentit Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Negociatat e Zgjerimit dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë së Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në një klimë të hapur dialogu e bashkëpunimi, pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e rinisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital, dezinforminin dhe bashkëpunimin rajonal për çështjet rinore.

Sesionin e hapi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe në vijim diskutuan anëtarët e Parlamentit Europain, Milan Brglz, Fabio Castaldo, anëtar drejtues për Programin Liderët e rinj në Politikë në PE, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe Drejtuesi i Laboratorit Rinor të Ballkanit Perëndimor nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Në këtë sesion mori pjesë edhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, deputetë, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj dhe përfaqësues nga stafi i Delegacionit të BE në Shqipëri dhe të Komisionit Evropian.

Programi u strukturua në laboratorë të politikës të dialogut, si mënyrë pjesëmarrje për angazhim e bashkëveprim të hapur mes pjesëmarrësve, duke adresuar rolin e rinisë në procesin e integrimit në BE, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital dhe bashkëpunimin rajonal. Këta laboratorë politikash mundësuan pjesëmarrësit të avancojnë shkëmbimet e eksperiencave dhe të ndërtojnë një rrjet me të fortë. Mbas edicionit të vitit të kaluar në Bruksel, edicioni i 4 “Bridging the gap” u kthye në Ballkanin Perëndimor duke mundësuar një akses me të gjerë të programit për organizatat lokale të rinisë të shoqërisë civile.

Gjatë sesionit përmbyllës, pjesëmarrësit prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet, të cilat u miratuan nga të gjithë pjesëmarrësit.

Në përfundim, anëtari i Parlamentit Evropian, Milan Brglz, theksoi se liderët e rinj në politikë kanë arritur konkluzione të politikave mbresëlënëse si dhe ata kanë dakordësuar në një klimë të hapur dialogu dhe respekti.

Takimi u mbyll nga kryetarja e Klubit parlamentar për të Rinjtë, Erisa Xhixho, e cila theksoi domosdoshmërinë e forcimit të rolit të deputetëve të rinj dhe shoqërisë civile në rajonin tonë, si një mundësi për të shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira, në mënyrë që t’u japim zgjidhje çështjeve të rinisë edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor./ata