Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2022.

 

Kryetari i komisionit Eduard Shalsi bëri të ditur se Kuvendi kërkon që Autoriteti i Konkurrencës duhet të përmirësojë punën në disa drejtime.

 

Sipas tij, Autoriteti i KonkurrencWs duhet të veprojë në kohën e duhur dhe me gjithë forcën e ligjit për ndëshkimin e operatorëve të tregut me sjellje të përsëritur dhe shkelje të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit.

 

Autoriteti i Konkurrencës duhet të monitorojë sjelljen e ndërmarrjeve të prekura nga transaksioni i përqendrimit në tregun e telefonisë celulare, në kushtet kur struktura e tregut ka ndryshuar tërësisht.

 

Njëkohësisht, Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndjekë përmbushjen e rekomandimeve të dhëna në tregjet e monitoruara apo hetuara gjatë 2002, si dhe të vlerësojë rast pas rasti sjelljen e ndërmarrjeve të cilat gëzojnë pozitë dominuese nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare në fuqi, apo atyre të reja si projekti i investimit strategjik të Marinës dhe Jahteve të Durrësit.

 

Po ashtu, duhet të ndërmarrë një procedurë monitorimi apo hetimi në tregun e shërbimit spitalor privat, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg në kushtet e ndryshimit të pronësisë së spitaleve private gjatë viteve të fundit.

 

Kuvendi i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës edhe të mbikëqyrë me prioritet dhe të dalë me rekomandime konkrete për tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit shqiptar, të tilla si tregu i prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, tregu i ushqimeve, sidomos artikujve bazë të shportës, tregu i karburanteve dhe ai i ndërtimit.

 

Kuvendi i la detyrë Autoritetit të Konkurrencës edhe digjitalizimin e arkivës dhe forcimin e kapaciteteve administrative.