Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh sot se nuk do të ketë votim të diasporës pa përcaktuar në Kodin Zgjedhor mënyrën se si do të llogaritet vota e tyre.

Gjatë seancës dëgjimore në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, Celibashi u shpreh se Gjykata Kushtetuese thotë se Kodi Zgjedhor ka boshllëk.

“Nëse nuk plotësohet ky boshllëk ligjor nuk do të ketë votim nga jashtë. Ju mund ta bëni edhe formalisht këtë plotësimin, por do të duhet që Kuvendi i Shqipërisë të bëjë plotësimin e boshllëkut ligjor”, theksoi ai.

Celibashi theksoi se ka disa mënyra se si mund të llogaritet vota e atyre që jetojnë jashtë në rezultatin zgjedhor.

“Vota mund të llogaritet aty ku kanë regjistrin e gjendjes civile, mund të llogaritet në qarkun e Tiranës si qarku më i madh ose ka një ide të llogaritet në mënyrë tjetër, ku parashikohet të kenë disa mandate të posaçme si votues nga jashtë”, tha Celibashi.

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve theksoi se vendimmarrja për këtë çështje është politike, por sipas tij, “nëse nuk vendoset kjo gjë nuk ka votim nga jashtë”.

“Nëse duam që ky proces të realizohet kërkesë nga KQZ është që të paktën Kuvendi i Shqipërisë duhet të përcaktojë rregullat për llogaritjen e votës të bashkëatdhetarëve që banojnë jashtë”, tha ai.

Po ashtu Celibashi theksoi se duhet të përcaktohet qartë në ligj se kush do të kualifikohet si person për t’i shkuar fleta e votimit, kur jeton jashtë territorit të Shqipërisë.

“Do të duhet të përcaktohet në çfarë kushtesh kualifikohet për ta marrë fletën e votimit. Të gjitha variantet qëndrojnë. Nëse do t’i japësh të drejtën atij që ka një adresë, apo atij që nuk ka një adresë e nuk figuron gjëkundi, por në këtë rast ka implikime për KQZ-në pasi nuk dimë ku do ta dërgojmë fletën e votimit nga pikëpamja teknike. Kjo përveç faktit kur votohet elektronikisht”, tha ai.

Celibashi theksoi se ky është komplet një diskutim politik por që duhet të zgjidhet.

Ndërkohë sipas tij, mënyra e votimit mund t’i lihet edhe KQZ-së në dorë dhe padyshim ky do të jetë një proces i konsultuar me gjithë spektrin politik./ata