Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një prononcim për mediet ka theksuar se nga amendamenti ligjor në draftligjin për Amnistinë Penale, për të cilën opozita është tërhequr nga votimi, bëhet fjalë për uljen e dënimit për tre punonjës të policisë së Kukësit, të dënuar nga GJKKO për “shpërdorim detyre”.

Manja duke sjellë shembullin e Ilirit, njërit prej punonjësve të Policisë së dënuar, theksoi se nga amnistia penale janë përjashtuar 95% e veprave penale.

“Iliri është i martuar, ka 7 fëmijë, ka qenë i dënuar me shërbim prove. Është punësuar, i është kthyer normalitetit, jetës së rregullt dhe do të bëjmë çmos të arsimojë 7 fëmijët. Gjithsesi meqë jemi te amnistia e solla shembullin e Ilirit se amnistia penale një nga parimet kryesore ka humanizmin”, tha Manja.

“Bëhet amnisti për një kategori të dënuarish që kanë vuajtur 2/3 e dënimit. Ka mbi katër vite që nuk ka pasur amnisti penale në vendin tonë. Kjo që kemi paraqitur më vjen keq që asnjë nuk e ka marrë mundimin ta lexojë ligjin, por hodhi dikush një gur në zall dhe të gjithë u bënë bashkë të ‘shpëtojmë’ Republikën nga një ligj amnistie”, u shpreh Manja.

“Është një amnisti e cunguar ku 95% e veprave penale që ka Kodi Penal janë të përjashtuara nga kjo amnisti. Në thelb kjo amnisti ka këto qëllime dhe askush nga ne nuk ka qëllim që të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO. Debati është bërë për një amendament që për të siguruar barazinë ka dhënë mundësinë që të përfitojnë 1 vit ulje dënimi burrat dhe një vit e gjysmë gratë që nuk përfitojnë nga amnistia e plotë. Ulja e dënimit nga amnistia nuk ta heq njollën. Quhesh i dënuar, por gjithsesi ky amendament nuk ka qenë. Ne kemi qenë të hapur për ta diskutuar sepse nga ky amendament nëse do të miratohet përfitojnë nga një muaj dhe tre muaj, tre ish-policë të dënuar nga GJKKO në Kukës”, thekson Manja.

Ai pranoi se mazhoranca është gati ta diskutojë edhe amendamentin.

“Ne kemi bërë hapin tonë dhe draftligji është në Kuvend. Do e fusim në parlament kur deputetët e opozitës të jenë në sallën e parlamentit dhe do jenë ata që do e kërkojnë futjen në rend dite. Ne e kemi bërë detyrën tonë, kemi depozituar ligjin ka tre muaj. Tani është në seancë plenare, kur të bëhen gati deputetët e opozitës do jetë në rend të ditës. Do të kërkoja dhe dëshiroja që ky ligj të marrë votat e gjithë deputetëve të Kuvendit. Jemi të gatshëm të ulemi për këtë amendament, por nëse qenka hataja për opozitën se do përfitojnë ulje dënimi 3 ish-punonjës policie për shpërdorim detyrë në Kukës tërhiqemi ne nuk është problem”, tha Manja./ata