Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat nga selia blu, tha se PD mirëpret atë që e cilësoi tërheqje të mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarëve për korrupsion nga GJKKO, duke qenë kjo një mbështetje e pakushtëzuar për institucionet e SPAK-ut dhe të GJKKO-së.
Alibeaj tha se “Partia Demokratike është e vendosur për të votuar vetëm një projektligj për Amnistinë Penale, i cili i shërben qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur dhe ku nuk përfshihen në të zyrtarët e hetuar nga SPAK dhe të gjykuar në GJKKO-ja”.
“Të qëndruarit në parime dhe në vlera, për Partinë Demokratike nuk janë kushtëzime, por janë e vetmja rrugë dhe zgjidhje për një amnisti në dobi të njerëzve dhe jo në dobi të të korruptuarve. Për ne, gjuha e arrogancës dhe e kërcënimit, është e papranueshme, sepse kemi qenë të qartë dhe vijojmë të jemi në raport me ato që kërkojmë, duke i bërë publike”, u shpreh Alibeaj.
“Partia Demokratike e Shqipërisë nuk kërkon pazar dhe nuk do që të votohen ligje tinëzisht dhe fshehurazi, por gjithçka do ta bëjë në transparencë të plotë, ku të prevalojë interesi i publikut”, vijon Alibeaj.
“Ne e mirëpresim tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarve për korrupsion nga GJKKO, duke qenë kjo një mbështetje e pakushtëzuar për institucionet e SPAK-ut dhe të GJKKO-së, dhe japim dakordësinë tonë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht kohës dhe periudhës në të cilën kanë protestuar”, përfundon Alibeaj./ata