Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se mundësia e konfliktit midis NATO-s dhe Rusisë do të jetë "e pashmangshme" nëse vendet perëndimore dërgojnë trupa në Ukrainë.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Moskë, Peskov komentoi deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron i cili tha se nuk duhet të përjashtohet mundësia e dërgimit të trupave në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se kjo është bërë një çështje e rëndësishme.
"Ne kemi dëgjuar tashmë të gjitha aspektet e tjera të deklaratave të presidentit francez dhe i kemi marrë parasysh. Gjithashtu jemi shumë të vetëdijshëm për qëndrimin e Macron-it për domosdoshmërinë e shkaktimit të një disfate strategjike ndaj Rusisë", tha Peskov.
I pyetur nëse do të kishte një konflikt midis NATO-s dhe Rusisë nëse vendet perëndimore dërgojnë trupa në Ukrainë, Peskov tha se kjo do të ishte e pashmangshme.
"Në këtë rast, nuk mund të flasim më për mundësi, por për pashmangshmëri", tha Peskov. Ai tha se vendet anëtare të NATO-s duhet të shqyrtojnë me kujdes veprime të tilla.
"Ata duhet të pyesin veten nëse është në interesat e tyre dhe më e rëndësishmja, në interesat e qytetarëve të vendeve të tyre", shtoi ai.
Macron në deklaratën e tij të djeshme tha se nuk ka konsensus midis vendeve evropiane për dërgimin e trupave në Ukrainë, e cila ka më shumë se dy vjet që lufton me Rusinë, por një mundësi e tillë nuk duhet të përjashtohet./aa