Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 120 pacientë duhet të evakuohen nga spitali "Nasser" në qytetin Khan Younis, nga i cili u tërhoqën ushtarët izraelitë.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se ushtarët izraelitë e bënë spitalin jofunksional dhe ekipet mjekësore nuk ishin në gjendje të trajtojnë pacientët dhe se nevojitet një sërë mirëmbajtje urgjente për të ofruar shërbim.
Theksohet se 120 pacientë në spital duhet të transferohen në spitale të tjera për trajtim dhe u bëhet thirrje organizatave ndërkombëtare që të bëjnë presion mbi Izraelin për të plotësuar nevojat e spitalit dhe për të liruar të gjithë personelin mjekësor.
Ushtarët izraelitë e bastisën spitalin "Nasser", i cili ishte nën rrethim për një kohë të gjatë më 15 shkurt dhe e kthyen në një kazermë ushtarake. Në spitalin ku ndodheshin rreth 10 mijë palestinezë të zhvendosur dhe 300 punonjës të shëndetësisë, shumë pacientë humbën jetën për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike të shkaktuar nga forcat izraelite dhe mosfunksionimit të aparateve të oksigjenit.
Zyrtari i lartë i Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) në territoret e pushtuara palestineze, Jonathan Whittall, lidhur me spitalin "Nasser" në postimin e tij në rrjetin social X dje tha: "Ky vend është bërë vend vdekjeje e jo vend shërimi".
Në deklaratën e mëparshme të Ministrisë, u raportua se ushtarët izraelitë u tërhoqën nga spitali "Nasser" dhe e rrethuan spitalin duke u pozicionuar rreth tij. Megjithatë, më 22 shkurt Ministria njoftoi se ushtarët izraelitë bastisën përsëri spitalin pas tërheqjes së tyre.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, 29.410 palestinezë, përfshirë të paktën 12.660 fëmijë dhe 8.570 gra, u vranë dhe 69.465 persona u plagosën. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja ndërsa infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa