Në sulmet që ushtria izraelite kreu në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, 13 palestinezë kryesisht fëmijë dhe gra humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, 12 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit nga avionët luftarakë izraelitë ndaj një shtëpie që i përkiste familjes Muammar në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Banorët e zonës dhe ekipet e Mbrojtjes Civile vazhdojnë pas sulmit punimet e kërkim-shpëtimit në ndërtesën e shembur. Si rezultat i bombardimeve të ushtrisë izraelite në xhaminë Saad bin Abi Waqqas në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës, një grua ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë, kryesisht fëmijë dhe gra u plagosën.

Gjithashtu të vdekur dhe të plagosur ka patur edhe si pasojë e shënjestrimit të shumë pikave të ndryshme në Gaza nga avionët luftarakë izraelitë.

Që nga 7 tetori e deri më tani në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 32.552 palestinezë, mes të cilëve të paktën 14.280 fëmijë dhe 9.340 gra ndërsa janë plagosur 74.980 persona.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur dhe po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa