Pasi tha se dërgimi i trupave në Ukrainë “nuk mund të përjashtohet”, presidenti francez Emmanuel Macron sot u përball me kritika nga opozita, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta.

Marine Le Pen, udhëheqëse e partisë parlamentare Fronti Kombëtar, tha në X: “Dhjetëra miliona francezë aktualisht janë jashtëzakonisht të shqetësuar për komentet e bëra nga Emmanuel Macron dje, i cili tregoi se nuk përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë”.

“Emmanuel Macron flet për luftën me shumë butësi. Ju kujtoj se lufta është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi. Dhe ne të gjithë duhet ta kujtojmë këtë”, shtoi ajo.

Në mënyrë të ngjashme, Jean-Luc Melenchon, lideri i krahut të majtë Franca e Papërkulur, tha në X: “Dërgimi i trupave në Ukrainë do të na bënte ndërluftues. Lufta kundër Rusisë do të ishte çmenduri. Ky përshkallëzim verbal luftarak nga një fuqi bërthamore kundër një fuqie tjetër të madhe bërthamore është tashmë akt i papërgjegjshëm”.

“Është koha për të negociuar paqen në Ukrainë me klauzola reciproke të sigurisë!”, ka shtuar Melenchon.

Ndërkaq, Presidenca franceze tha se Macron i kërkoi qeverisë të bënte një deklaratë në parlament për një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Ukrainën më 16 shkurt dhe situatën në Ukrainë, e ndjekur nga një debat dhe një votim.

Të hënën, pas një samiti në Paris në mbështetje të Ukrainës, Macron tha: “Nuk ka konsensus sot që trupat tokësore duhet të vendosen në një mënyrë zyrtare, të pranuar dhe të miratuar. Por asgjë nuk duhet të përjashtohet”.

Ai shtoi: “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Rusia të mos mund ta fitojë këtë luftë”.

Gjithashtu të hënën, kryeministri sllovak Robert Fico paralajmëroi për një përshkallëzim në konfliktin në Ukrainë.

Duke folur për përfaqësuesit e mediave në Bratislavë, Fico tha se disa anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian po konsiderojnë dërgimin e ushtarëve të tyre në Ukrainë./aa