Ministri i Jashtëm i Palestinës, Riyad al-Maliki tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk dëshiron të bëjë armëpushim dhe dëshiron të vazhdojë të vrasë palestinezë, gra dhe fëmijë.
Maliki i cili ndodhet në Gjenevë në kuadër të Sesionit të 55-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në një prononcim për Anadolu tha se kryeministri izraelit Netanyahu nuk dëshiron marrëveshje për ndalimin e sulmeve në Gaza sepse dëshiron të vrasë palestinezët.
Ai thekson se do të jenë pozitivë rreth mundësisë për lirimin e pengjeve, shkëmbimin e të burgosurve palestinezë të cilët kanë qenë në burgjet izraelite për shumë vite dhe tha se lirimi i pengjeve do të nënkuptojë "armëpushim".
Maliki tha se nëse arrihet armëpushim, do të jetë e mundur që ndihmat humanitare të hyjnë si në veri ashtu edhe në jug të Gazës. "Kjo është arsyeja pse ne duam të shohim që kjo të ndodhë. Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, para Ramazanit, në mënyrë që njerëzit të mund të shërohen dhe të marrin frymë lirisht në Gaza pa u bombarduar, vrarë apo nën zjarr", u shpreh ai.
Sipas tij, arritja e armëpushimit të përhershëm do të ofronte mundësinë për të menduar se si të rindërtohet Gaza.
Duke theksuar se negociatat mes SHBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Izraelit kanë vazhduar muajin e fundit për arritjen e marrëveshjes, Maliki tha se kanë dëgjuar se ekziston mundësia që kjo të zbatohet sa më shpejt.
Ai kujtoi se masat paraprake të marra kundër Izraelit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 26 janar janë të vlefshme për të gjithë si dhe për Izraelin. "Nëse Izraeli nuk respekton këto masa paraprake, do të paguajë çmimin", tha Maliki.
Ministri palestinez thotë se Izraeli e dorëzoi raportin me kërkesë të GJND-së më 26 shkurt. "Ndoshta raporti është shumë i gabuar. Izraeli do të thotë se i respekton masat e përkohshme, por në realitet nuk i respekton ato", potencoi ai.
Maliki nënvizon se Republika e Afrikës së Jugut do ta shqyrtojë këtë raport dhe do t'i përgjigjet gjykatës. "Ne po monitorojmë zhvillimet. Gjykata definitivisht nuk do të tolerojë dhe pranojë dështimin e Izraelit për të respektuar masat e tij të përkohshme", tha ai.
"Qëllimi i Netanyahut në këtë luftë është ta bëjë Gazën të pabanueshme"
Shefi i diplomacisë palestineze vuri në dukje se ata e dinë se kryeministri izraelit Netanyahu nuk dëshiron marrëveshje për të ndalur sulmet e tij.
"Netanyahu dëshiron të zgjasë luftën, ai nuk dëshiron të shohë armëpushim. Ai dëshiron të vazhdojë të vrasë palestinezë, gra dhe fëmijë. Netanyahu dëshiron të shkatërrojë spitale, shkolla dhe strehimore. Duart e Netanyahut janë plot me gjakun e fëmijëve të pafajshëm palestinezë. Synimi i Netanyahut në këtë luftë është ta bëjë Gazën të pabanueshme. Për këtë arsye ai po shkatërron gjithçka në Gaza. Për ta bërë këtë, Izraeli filloi të zhvendoste me forcë palestinezët nga veriu i Gazës në qendër dhe nga qendra në jug", tha Maliki.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka paguar çmimin për dobësinë e tij në imponimin e vullnetit të tij ndaj Netanyahut dhe duke e detyruar atë të respektojë ligjin ndërkombëtar. "Nëse Netanyahu nuk mund të kontrollohet, ata mund të shohin që i gjithë rajoni do të përfshihet në flakë dhe se kjo është ajo që ai dëshiron", theksoi Maliki./aa