Rreth 60 organizata të të drejtave të njeriut dhe të shtypit përfshirë edhe Reporterët pa Kufij (RSF), kërkuan nga Bashkimi Evropian (BE) të pezullojnë marrëveshjen e partneritetit tregtar me Izraelin i cili vazhdon të shënjestrojë gazetarët në Rripin e Gazës si dhe të zbatojë sanksione kundër atyre që kryejnë shkelje të të drejtave.

Në deklaratën e bërë në faqen zyrtare të internetit të RFS thuhet se 60 organizata të shtypit dhe të të drejtave të njeriut i bënë thirrje BE-së të ndërmarrë veprim kundër Izraelit për shkak të "numrit të paprecedentë të vdekjeve të gazetarëve dhe shkeljeve të përsëritura të lirisë së shtypit" që ka kryer që nga 7 tetori e deri më tani.

Në letrën e shkruar para Samitit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së më 29 gusht në Bruksel dhe drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell thuhet se "Vdekjet dhe shkeljet e lirisë së shtypit të shkaktuara nga Izraeli në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe përgjegjësitë e ligjit humanitar ndërkombëtar, kërkojnë pezullimin e marrëveshjes së partneritetit tregtar BE-Izrael dhe zbatimin e sanksione kundër përgjegjësve".

Shefja e Zyrës së RSF-së në Bruksel, Julie Majerczak tha se kundër Izraelit "duhen të ndërmerren veprime përtej fjalës". Duke kujtuar se marrëveshja e partneritetit të BE-së me vendet joanëtare bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike ajo theksoi se Izraeli e ka shkelur qartë këtë.

Pasi nënvizoi se BE-ja duhet të bëjë çdo gjë që "kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të ndalë masakrimin e gazetarëve dhe të respektojë të drejtën për qasje në informacion dhe lirinë e shtypit", Majerczak tërhoqi vëmendjen se kjo është e rëndësishme për "sigurinë" e BE-së.

Numri i gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës, ku Izraeli vazhdon sulmet që nga 7 tetori 2023, është rritur në 169 me vrasjen e Ibrahim Marwan Muharib./aa