Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në takim, Basha theksoi se, reforma zgjedhore dhe lufta kundër korrupsionit janë prioritete të PD.
“Diskutuam mbi prioritetet e Partisë Demokratike, reforma zgjedhore dhe lufta kundër korrupsionit. Për PD kushdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve duhet të japë llogari para drejtësisë”, u shpreh Basha në një reagim.
Për këtë arsye, theksoi Basha, “PD është në krah të drejtësisë dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri”.
“Përmes propozimeve për reformën zgjedhore PD synon t’i japë qytetarëve të drejtën t’i zgjedhin ata deputetët e tyre përmes listave të hapura. Barazia e votës përmes krijimit të një zone zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik dhe vota e diasporës janë të tjera propozime përmes të cilave ne synojmë ti kthejmë besimin shqiptarëve tek zgjedhjet dhe ti japim fuqi zërit të tyre”, nënvizoi Basha./ata