Deputetja dhe nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale ka treguar pikat e partisë së Lirisë për mbështetjen ndaj grave. 

Postimi:

Kënaqësi të isha dje në takimin e LGI me gra dhe vajza që janë frymëzim dhe mbështetja më e madhe për ne.

Jam krenare që Partia e Lirisë përfaqësohet denjësisht në këshillat bashkiakë të vendit nga qindra gra dhe vajza që e duan ndryshimin dhe punojnë çdo ditë për të.

Shpopullimi, varfëria dhe mungesa e politikave sociale e ka vështirësuar jetën e gruas, duke ia kufizuar mundësitë për të dhënë kontributin e saj të çmuar në shoqëri.

Gjatë vitit vitit 2023, 11 gra gjetën vdekjen nga dhuna e bashkëshortëve dhe familjarëve.

Më shumë se 611 persona u arrestuan për dhunë në familje.

Mbi 2 mijë kërkesa për urdhra mbrojtjeje u bënë nga gra dhe vajza në të gjithë vendin.

Gratë paguhen 6.2% më pak se burrat në 2022 edhe pse bëjnë edhe punë të papaguar.

Partia e Lirisë ka propozime konkrete për mbështetjen e grave dhe fuqizimin e rolit të tyre:
Nënat me 2 dhe më shumë fëmijë të diferencohen në taksimin mbi pagën dhe të ardhurat.

Të jepet paga e plotë, për një vit kalendarik, për lejet e lindjes.

Të trefishohet bonusi i bebes.

Të krijohet “Shporta e bebes”, me ushqimet bazë dhe artikuj të higjenës, për të cilat të bëhet rimbursimi deri në 10% të TVSH sipas faturave të blerjes.

Ne kemi detyrimin ta bëjmë Shqipërinë vendin e mundësive sidomos për gratë e vajzat dhe jo të oligarkëve.