Grupi ndërpartiak i parlamentarëve britanikë u takua sot me të rinjtë në Kukës, ku projekti “Perspektiva të reja”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, po sjell një ndryshim të prekshëm, njofton Ambasada britanike në Tiranë.
“Ata takuan një grup të rinjsh në Hapësirën e Sipërmarrjes Rinore, për të diskutuar mbi planet e tyre rreth të ardhmes së Shqipërisë, duke shfrytëzuar mundësitë në rritje, në turizëm, bujqësi dhe modë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.
Gjithashtu, parlamentarët britanikë u takuan edhe me deputetë dhe zyrtarë të lartë të pushtetit lokal për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen dhe se si partneriteti i fortë me Mbretërinë e Bashkuar po i ndihmon ta shohin të ardhmen me shpresë dhe optimizëm.
Delegacioni i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar ndodhet në Shqipëri me ftesë të Parlamentit shqiptar për të shkëmbyer pikëpamje dhe ide mbi demokracinë parlamentare./ata