Zëdhënësja e Partisë Demokratike Mirela Karabina, në një deklaratë për mediet nga selia blu, tha se ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura u bë për interesa të ngushta dhe klienteliste dhe në dëm të trashëgimisë sonë kulturore, të interesit publik dhe të qytetarëve.
Sipas saj, ndryshimet ligjore të miratuara nga kuvendi me propozim të një grupi deputetësh janë antikushtetuese.
“Për të kuptuar se çfarë mazhoranca ka votuar në kaosin e rrëmujës, është me rëndësi të sqarohet se qeveria i ka hequr kompetencat ekspertëve dhe studiuesve për të përcaktuar se cilat janë rezervat natyrore, të cilat është e nevojshme për t’u ruajtur si trashëgimi, por, në radhë të parë, për të siguruar jetëgjatësinë e habitateve që njerëzit i kanë ruajtur ndër shekuj”, tha Karabina.
Sipas saj, vendimi ka si qëllim të vetëm ka kthimin nga territore të mbrojtura në troje për ndërtim.
“Ai i shërben vetëm një grushti të vogël interesash, të lidhur ca me qeverinë ca me ata që në Parlament i mundësojnë qeverisë t’i kalojë këto ligje pa debat dhe pa diskutime. Partia Demokratike është e vendosur, ndaj në momentin e parë që ajo do të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj. Zotohemi se subjektet që do të përfitojnë nga ky ligj, do t’i nënshtrohen praktikave më të avancuara të ligjit antimafia. Ky është një zotim publik që Partia Demokratike e Shqipërisë ndërmerr dhe do të bëhet realitet në momentin e parë të mundshëm”, përfundon Karabina./ata