Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës tha sot nga Tirana, se Kolegji i Evropës do të nisi vitin e parë akademik për ciklin master në muajin shtator. Pjesë e Kolegjit do të jenë 31 studentë, të zgjedhur nga 241 aplikantë nga 41 kombësi të ndryshme.

Sipas saj, ky projekt ka ngjallur mjaft interes, ndërsa shtoi se pjesë e punës do të jenë dhe trajnimet për zyrtarët e rajonit dhe jo vetëm. Ajo tha se ka patur aplikime nga Gjermania, Suedia, Franca…etj

“Pesë muaj më parë, në praninë e komisionerit Varhelyi, nënshkruam memorandumin e parë. Kemi nënshkruar shumë prej tyre, sot ishte hera e parë që nënshkruajmë diçka në Tiranë, duke përfaqësuar subjektin juridik të ngritur në Shqipëri, degën shqiptare të kolegjit të Evropës këtu në Tiranë. Dhe ky sot është një hap më tej në kuptimin ligjor”,  vuri në dukje Mogherini.

“Në këto 5 muaj kemi bërë shumë. Viti akademik do të nis në shtator me 31 studentë, me program të nivelit master për transformimin dhe integrimin evropian, me fokus të veçantë Ballkanin Perëndimor dhe BE”, tha ajo.

“Çelëm procesin e pranimit në tetor. Sot mund të them se kemi marrë 241 aplikime për 31 vende nga 41 kombësi të ndryshme. Aplikimet i patëm nga i gjithë rajoni dhe vende të BE. Kemi zgjedhur më të mirët paraprakisht. Kemi kryer mjaft intervista individuale për të zgjedhur studentët. Nga numri përfundimtar kishim 34 kombësi. Nëse do të kishim ndonjë dyshim, unë nuk kisha në fakt, por sot e kemi të qartë që projekti ka kërkesa dhe interes të madh. Ky projekt po haset me entuziazëm”, theksoi Mogherini.

“S’do të përmend emrat e studentëve italianë apo shqiptarë që kanë aplikuar, por do të zgjedh të them se ishin 23 francezë, 12 gjermanë, 6 belgë, 9 suedezë, kjo sa për t’ju dhënë shifrat dhe idenë për interesin që ka patur në rajon dhe jo vetëm, por edhe nga shtete anëtare të BE”, tha më tej Mogherini.

“Do të nisim tani brenda pak muajve aktivitete të ndryshme në Kolegjin e Evropës në degën e Tiranës. Do të nisim aktivitetin e parë, që do të zhvillohet në 9 maj për ditën e Evropës. Në dy javët e para të qershorit më pas do të kemi një trajnim. Në këtë kolegj do të ofrohen edhe trajnime për zyrtarët në rajon dhe më gjerë. Brenda 5 muajve do të kemi histori mjaft të konsoliduar suksesi”, theksoi ajo.

“Do të jetë mjaft premtuese për të ardhmen, përfshi dhe idenë fillestare, për shtëpinë e kolegjit këtu në Tiranë. Është vetëm fillimi. Po presim të gjithë kaq me padurim që të bashkëpunojmë ngushtë, sidomos bashkë me mjedisin tjetër akademik në Shqipëri e TIranë, që do të lejojë studentët të trajnuarit tanë që të ndërveprojnë shumë ngushtë me mjedisin pritës”, nënvizoi Mogherini./ata