Në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, që po hartohet nga Ministria e Brendshme, pritet që pjesë e parashikimeve të jetë dhe mundësia e rekrutimit të punonjësve të Gardës në Policinë e Shtetit, sipas disa rregullave të mirëpërcaktuara.
Besmir Beja, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshëm tha sot në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutuan ndryshimet ligjore të propozuara tek ligji i “Gardës” nga deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço, u shpreh se në ligjin e ri të Policisë së Shtetit, që po hartohet nga Ministria e Brendshme dhe që shumë shpejt do të dalë për konsultim, pritet të ketë dhe një parashikim për rekrutimin e punonjësve të Gardës në Policinë e Shtetit.
Ai po ashtu foli dhe për shpërblime financiare, të cilat në qershor pritet të realizohen sipas funksionit dhe gradave të punonjësve të Gardës.
“Për çështjen e trajtimit financiar është ngritur një grup pune, që po harton analizimin e të gjitha pagave për strukturat e sigurisë, pra të punonjësve të Policisë së Shtetit me grada, për aq sa është e mundur. Ne duam të bëjmë uniformizimin për kategoritë e gradave dhe pagesat që merren për çdo kategori të gradave dhe nga ky studim, që pritet t’i bashkëngjitet aktit normativ të qershorit, kur dhe do të bëhet dhe rritja e nevojshme në mënyrë të barabartë sipas funksioneve dhe gradave, pra që paga të jetë e barazvlerësuar me funksionin e gradës së tyre”, tha Beja.
“Sa i takon të drejtës së punonjësve të Gardës për t’u rekrutuar në Policinë e Shtetit, Ministria e Brendshme është në procesin e përfundimit të hartimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe së shpejti do të jetë në konsultim publik, dhe ku është parashikuar e drejta që punonjësit e gardës, dhe institucionet e sigurisë të kenë të drejtë për t’u rekrutuar në Policinë e Shtetit sipas disa rregullave të paracaktuara”, tha Beja./ata