Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se nënshkrimi i marrëveshjes mes Universitetit të Tiranës dhe Kolegjit të Europës, do të garantojë funksionimin e plotë të kolegjit duke nisur nga ky vit akademik deri në përfundim të kampusit të ri.
Në ceremoninë e organizuar për firmosjen e kësaj marrëveshje, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, etj, ministrja Manastirliu tha se “jemi mbledhur për të shënjuar një moment te jashtëzakonshëm drejt një objektivi që po i afrohemi ditë pas dite, çeljes së një prej institucioneve më të rëndësishme europiane që është kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë”.
“Gjatë muajve të fundit kemi ndërmarrë hapa konkretë për të ngritur kampusin e Tiranës për Kolegjin e Europës. Ritmi, bashkëpunimi i shkëlqyer me partnerët tanë për të bërë të mundur këtë gjë ka qenë i jashtëzakonshëm. Jam shumë e kënaqur që streha e parë e Kolegjit të Europës do të jetë në Universitetin e Tiranës. Jam e kënaqur për shkak të domethënies historike ku do të vendoset kolegji dhe peshës historike që mbart ajo”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “streha e parë e Kolegjit të Europës, vendi ku studentët do të studiojnë për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor është vendi ku studentët shqiptarë kanë hedhur hapat e parë historikë dhe ku bënë histori me nisjen e rrugëtimit drejt lirisë dhe demokracisë”.
Ky moment, vijoi Manastirliu, shënon hyrjen në një fazë të re.
“Qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar që t’i ofrojë Kolegjit të Europës dhe studentëve të ardhshëm një kampus të ri në vitet që vijnë, për këtë qëllim kemi hartuar projektidenë e parë dhe parashikojmë që ajo të nis zbatimin prej këtij viti”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “sot po zbulojmë vetëm një koncept fillestar të këtij projekti fantastik pritet të jetë një strukturë e veçantë që mishëron jo vetëm ekselencën e këtij institucioni, por edhe ambicien tonë për arritjen e standardeve arsimore drejt anëtarësimit në BE”./ata