Plani i ri i Zhvillimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor do të nxisë dyfishimin e zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve brenda dhjetë viteve.
Këtë e konfirmoi Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, në çelje të samitit të vendeve të Ballkanit në Tiranë dhe Bashkimit Europian, të mbajtur në Tiranë të enjten.
Varhelyi konfirmoi vullnetin e BE-së për të nxitur zhvillimin dhe për të integruar tregun e Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian edhe përpara se integrimi i plotë i këtyre gjashtë vendeve të ndodhë.
“Besoj që tashmë Tirana është kthyer në një pikë takimi për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë më tej përpjekjet e të gjithë Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE. Edhe pse po afrohemi në fund të mandatit tonë, ne dëshirojmë të lëmë diçka serioze pas, diçka që të jetë e prekshme dhe e ndjeshme në aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm për procesin e zgjerimit”, tha Varhelyi në çelje të fjalës së tij.
“Procesi i zgjerimit s’ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit apo me mënyra të ndryshme administrative që ne i kemi, por është proces integrimi. Ky proces integrimi do të thotë që ekonomia e Ballkanit Perëndimor, shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, të integrohen në BE. Që do të thotë në vetvete, që edhe BE duhet që të ofrojë të gjitha përfitimet që sjell anëtarësimi, përpara se shtetet tuaja të bëhen anëtare të familjes europiane dhe kjo është ideja që sjellim ne me planin e ri të rritjes”, tha Komisioneri i BE për Zgjerim.
Liderët e rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale./ata