Në kuadër të Samitit BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë u firmos marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm ën ëktë ceremoni shprehu mirënjohjen ndaj Federica Mogherinit, rektore e Kolegjit të Europës,e  cila së shpejti do të marrë nënshtetësinë shqiptare.

“Dua të ndaj me të gjithë ju shprehjen e mirnëjohjes time më të thellë për Federicën, e cila po ndjek projektin hap pas hapi. Dhe nga ana tjetër nuk e fsheh dot kënaqësinë që të kemi Federicën që i afrohet asaj pike ku ne ofrojmë nënshtetësinë shqiptare. Do të jetë më shumë sesa një nder që ta konsiderojmë atë si një qytetare shqiptare”, tha Rama.

“Për t’i shtuar asaj çfarë tha Komisioneri lidhur me numrin e madh të të rinjve nga vendet anëtare të BE-së që duan të vijnë në Tiranë, ndoshta kjo tregon po kështu se të vish në Shqipëri nga BE-ja mund të jetë shumë më entuziazmuese sesa të shkosh nga BE-ja në BE. Ndaj besoj se kemi këtë numër kaq të madh”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi Delegacionin e BE-së  në Tiranë dhe Komisionerin Varhelyi, i cili u shpreh Rama, “ka punuar gjatë gjithë kohës në 360 gradë me ne për t’u siguruar që në të gjitha frontet të bëhen gjëra sa më të prekshme e sa më të realizueshme në rajon dhe natyrisht edhe ardhja e Kolegjit të Evropës na bën shumë të lumtur dhe na bën shumë krenarë”.

Ndaj, shtoi Rama, “po bëjmë shumë përpjekje për të pasur një ndërtesë ikonë dhe për ta pasur një destinacion të mirëfilltë evropian arsimimin, jo vetëm sa u takon programeve, por edhe sa i takon aspektit pamor e atij hapësinor, e cilësisë së jetës për studentët nga auditoret deri te fjetoret, edhe pse në Tiranë të rinjtë flenë gjithmonë e më pak sepse jeta e argëtimit është gjithmonë e më tërheqëse sidomos pas mesnatës”./ata