Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, edhe pse Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformimin e sistemit të drejtësisë, shumë mbetet për t’u bërë për të arritur standardet e një shteti anëtar të BE-së.
Në fjalën e tij në samitin BE – Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë, Rama u shpreh se, “respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht i padiskutueshëm për të marrë fonde të reja e për të përfituar nga mundësitë brenda tregut të brendshëm të BE-së, së paku kjo është ajo që përcakton plani i rritjes”.
“Moria e njerëzve nga ana jonë që janë ftuar të marrin pjesë në këtë samit janë gjithsecili të rëndësishëm për rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE. Ato përfaqësojnë, jo vetëm degën ekzekutive të Shqipërisë, por gjithashtu atë legjislative, gjyqësore dhe të institucioneve të tjera të pavarura. Shumica janë anëtarë të ekipit tonë kombëtar të negociatorëve, por sot janë këtu për të dëshmuar nga shumë afër se ata kanë rëndësi edhe për suksesin apo dështimin e Shqipërisë që ajo të marrë më të mirën e planit të ri të rritjes”, tha Rama.
“Për të shfrytëzuar planin e ri të rritjes, përgjatë 3 viteve në vijim na duhet të ofrojmë rezultate të prekshme, jo vetëm së jashtmi me partnerë të tjerë në rajon që është një domosdoshmëri, por po kështu edhe së brendshmi me degë të tjera të pushtetit dhe institucione të cilat nuk varen nga dega e ekzekutivit”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se, “ka një sërë kushtesh që duhen përmbushur nëse duam të marrim për vendet tona fondet shtesë që kanë të bëjnë me planin e ri të rritjes”.
Rama ndau me liderët të dhëna mbështetur në gjetjet nga procesi i kontrollit analitik të legjislacionit me Shqipërinë.
“Në Tiranë ne kemi nevojë për një bazë të re reformash për të qëndruar në mirëqeverisje, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta të përtërira nga degët e ekzekutivit, legjislativi dhe gjyqësorit dhe kjo është thelbësore. Përfshirja e aktorëve të tjerë është kritike për të shndërruar objektivat ambicioze të këtij procesi në një bilanc të konsoliduar”, shtoi kryeministri.
“Edhe pse Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformimin e sistemit të drejtësisë, shumë mbetet për t’u bërë për të arritur standardet e një shteti anëtar të BE-së dhe mbështetur në gjetjet e procesit të radiografimit të legjislacionit më shumë sesa gjysma e asaj çfarë duhet të bëjmë lidhet me shtetin e së drejtës dhe me gjyqësorin”, tha Rama./ata