Ish-deputeti laburist, George Galloway i cili kritikon hapur Izraelin për gjakderdhjen në Rripin e Gazës, ka fituar zgjedhjet e pjesshme në Rochdale, tregojnë rezultatet përfundimtare të shpallura të enjten mbrëma.
Galloway fitoi 12.335 vota, pothuajse 40 për qind të totalit me një shumicë prej 5.697 votash.
"Keir Starmer, kjo është për Gazën", tha ai në fjalimin e tij të fitores, duke iu referuar qëndrimit shumë të kritikuar të liderit laburist mbi mizoritë e kryera nga ushtria izraelite në Gaza, të cilat kanë lënë më shumë se 30 mijë njerëz të vrarë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.
"Do të paguani një çmim të lartë për rolin që keni luajtur në mundësimin, inkurajimin dhe mbulimin e katastrofës që po ndodh aktualisht në Gazën e pushtuar dhe në Rripin e Gazës", shtoi Galloway.
Duke iu drejtuar më tej Starmerit, Galloway tha se fitorja e tij do të "shkaktonte një lëvizje, rrëshqitje masive, zhvendosje të pllakave tektonike, në një numër zonash parlamentare, duke filluar këtu në veri-perëndim, në West Midlands, në Londër, nga Ilford në Bethnal Green & Bow".
"Laburistët janë në dijeni se kanë humbur besimin e miliona votuesve të tyre, të cilët me besnikëri dhe tradicionalisht votuan për ta brez pas brezi", shtoi Galloway, duke iu referuar votuesve që mendojnë se Partia Laburiste nuk ka bërë thirrje për armëpushim për të ndaluar gjakderdhjen e panevojshme në Gaza dhe territoret e pushtuara palestineze, duke përfshirë votuesit muslimanë që tradicionalisht mbështesin partinë.
Galloway shtoi: "Kam dëgjuar disa fjalë që po qarkullojnë rreth këtij rezultati zgjedhor. Po, është e vërtetë, se çdo musliman është i zemëruar thellë me Keir Starmer dhe partinë e tij Laburiste. Por, do të ishit shumë budalla, nëse nuk do ta kuptonit se janë edhe miliona qytetarë të tjerë të vendit tonë".
"Keir Starmer dhe Rishi Sunak janë dy faqe të kopertinës së njëjtë dhe për të dy u bë mirë se morën një flakaresh vërtet të merituar", tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme, kaotike
Zgjedhjet e pjesshme u thirrën pas vdekjes së deputetit laburist Sir Tony Lloyd për shkak të leukemisë në janar.
Fitorja e Galloway erdhi pasi Partia Laburiste tërhoqi mbështetjen dy javë më parë nga vetë kandidati i tyre Azhar Ali, i cili kishte pretenduar se Izraeli kishte lejuar sulmet e 7 tetorit nga Hamasi si pretekst për të pushtuar Gazën.
Ali është pezulluar nga partia në pritje të një hetimi mes akuzave antisemitiste.
Galloway tha se disa emra të deputetëve laburistë janë "zhytur në gjak" pas amendamentit të armëpushimit të partisë nga Partia Kombëtare Skoceze në fushatën e tij zgjedhore, kur disa deputetë ngritën shqetësime për sigurinë e tyre për shkak të qëndrimit të tyre pro-izraelit.
Humbja e mbështetjes së muslimanëve
Partia Laburiste është paralajmëruar nga anëtarët e saj muslimanë në fillim të shkurtit për qëndrimin e udhëheqjes së partisë në lidhje me Gazën, e cila i bëri jehonë politikave të qeverisë konservatore të Mbretërisë së Bashkuar.
Starmer ka refuzuar të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm "humanitar" deri vonë.
Rrjeti Musliman Laburist, i përbërë nga deputetë muslimanë, kryetarë bashkie, këshilltarë bashkiakë dhe anëtarë të regjistruar të partisë, lëshoi një deklaratë duke nënvizuar përçarjen e thelluar midis partisë dhe bazës së saj tradicionalisht besnike muslimane.
Deklarata nënvizonte sondazhin e fundit që tregon një çarje të thellë midis Partisë Laburiste dhe votuesve muslimanë, duke përmendur përgjigjen e partisë ndaj sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza si një katalizator kryesor për zhgënjimin.
Dhjetëra këshilltarë laburistë muslimanë dhanë dorëheqjen nga partia në tetor, menjëherë pasi filluan sulmet izraelite, kurse në nëntor, të paktën 330 këshilltarë laburistë nënshkruan një letër duke i kërkuar Starmerit të mbështeste një armëpushim në Gaza./aa