Turizmi tashmë është kthyer në degën kryesore të zhvillimit të ekonomisë lokale, sigurimit të të ardhurave ekonomike për banorët dhe çeljes së vendeve të punës në qytetin e  gurtë të Gjirokastrës.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, në një intervistë për ATSH-në tha se “përgjatë vitit 2024 bashkia me fondet e veta, në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon të vazhdojë projektet e nisura dhe të çelë kantiere të rinj në shërbim të zhvillimit social-ekonomik dhe rritjes së cilësisë së jetës për banorët”.

“Synojmë konkretizimin dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme në qytet dhe njësitë administrative kryesisht në infrastrukturë, rijetësimin e vlerave muzeale, nxitjen e agroturizmit, etj. Ndërkohë projekti i mobilitetit do të bëjë të mundur restaurimin dhe rijetësimin e vlerave arkitektonike të qytetit, pasuri e UNESCO-s dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”, theksoi Golemi.

Golemi tha se nëpërmjet ndërhyrjeve në akset rrugore do të rritet aksesueshmëria nga turistët të zonave karakteristike si ” Dunavat”, ” Palorto”, “7 krojet”, por edhe pjesës moderne të qytetit siç është lagjja “18 Shtatori”.

“Në vazhdimësi me projektet konkrete do të ndërhyjmë për evitimin e erozionit dhe rehabilitimin e zonës përreth kalasë së gurtë si një prej pikave më të frekuentuara nga turistët. Gjithashtu do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e godinës së parkimit nëntokësor në pjesën historike, zgjerimi i mastërplanit të ndriçimit publik në qytet dhe fshatra, etj. Jashtë vëmendjes nuk do të jenë edhe investimet në arsim dhe objektet social-kulturore, ndërsa do të vazhdojmë projektin në godinën tashmë të rikonstruktuar të kinemasë së qytetit si dhe rehabilitimin e godinës historike të ish shkollës “Drita””, nënvizoi Golemi.

Një tjetër vëmendje bashkia do t’i kushtojë edhe ndriçimit publik.

“Nëpërmjet zgjerimit të masterplanit të ndriçimit do të mundësojmë funksionimin e rrjetit të ndriçimit publik me standarde bashkëkohore në qytet dhe fshatra dhe aq më tepër në pikat me vizitueshmëri turistike”, tha Golemi.

Pjesë e projekteve për këtë vit, shtoi Golemi, do të jenë edhe ndërhyrjet për nxitjen e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerëve si një resurs i rëndësishëm për zhvillimin e agroturizmit duke nisur me rehabilitimin e rrugëve në njësitë administrative dhe fshatra, por edhe zbatimin e investimeve konkrete në rrjetin vaditës dhe kullues në bujqësi, etj”, theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi bëri të ditur se investime të tjera janë edhe ndërtimi i tregut të ri për komunitetin rom, zbatimi i masave inxhinierike në pikat e rrezikuara nga erozioni duke përfshirë edhe lagjet karakteristike, etj.

Një vëmendje të veçantë, shtoi Golemi, bashkia e Gjirokastrës i kushton edhe kulturës, provimit të trashëgimisë kulturore, apo edhe sportit siç është projekti për rehabilitimin e stadiumit të qytetit, ndërtimi i fushave të reja sportive, etj.

Sa i përket investimeve të nisura në 2023, Golemi tha se “ato po ecin mjaft mirë ndërsa një pjesë e tyre ka përfunduar duke dhënë dobishmërinë në shërbim të banorëve në qytet dhe njësitë administrative. Kam parasysh këtu projekte të rëndësishme të realizuara me mbështetjen  e qeverisë dhe donatorëve të tjerë si: ndërtimi i bypass-it të zonës historike,  restaurimi i kalasë së Gjirokastrës, por edhe rikonstruksioni i Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”, Qendra e përpunimit të bimëve medicinale në Lazarat, rikonstruksioni i shkollës “Koto Hoxhi”, etj”.

“Projektet të cilat janë ende në proces por edhe ato që kanë përfunduar gjatë 2023-shit kanë përfshirë infrastrukturën, nxitjen e turizmit, arsimin, bujqësinë, kulturën, sportin, etj. Në këtë mënyrë kemi mundësuar më shumë investime në qytet dhe fshatra. Synojmë që projektet që janë në vazhdimësi të përfundojnë brenda afatit të parashikuar duke qenë të prekshme nga banorët dhe në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës së tyre të përditshme”, tha Golemi.

Një ndër projektet kryesore në Gjirokastër është edhe ndërtimi i aeroportit të Jugut në qytetin e gurtë, për të cilin Golemi theksoi se “vendimi i qeverisë për ndërtimin e aeroportit të Jugut në Gjirokastër është një investim i shumëpritur nga komuniteti por në tërësi në shërbim të zhvillimit social-ekonomik të rajonit. Tashmë aeroporti një shekullor i Gjirokastrës ka statusin turistiko-sportiv, ndërsa është kthyer në qendër të organizimit të eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare për sportet e ajrit”.

“Ndërtimi i aeroportit të ri do të zhvillojë më shumë tregun turistik në Gjirokastër dhe Sarandë duke sjellë larmishmëri të ofertës turistike, rritje të numrit të vizitorëve dhe natyrshëm të të ardhurave ekonomike. Pra ky aeroport është një aset me vlerë për gjithë rajonin jugor duke rritur aksesueshmërinë për turistët nga e gjithë bota”, tha Golemi.

Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Investimet e kryera gjatë viteve të fundit e kanë kthyer Gjirokastrën në destinacionin e preferuar të turistëve vendas dhe të huaj çdo vit./ata