Deputetët e Rithemelimit kanë kërkuan në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e ligjit për komisionet hetimore, i miratuar në dhjetor në Kuvend. Deputetja Dhurata Çupi tha se me këtë ligj mazhoranca synon të privojë opozitën nga e drejta për të kontrolluar qeverinë. Çupi tha se është kërkuar gjithashtu edhe pezullimi i ligjit deri në një vendim përfundimtar. Kërkesa është firmosur nga 33 deputetë të opozitës.

‘I bëj thirrje GJK të jetë në lartësinë e integritetin  që jep posti i anëtarit të GJK. Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë. Ka një praktikë që i njohin të drejtën pakicës parlamentare si instrument kontrollit të pushtetit ekzekutiv.’- tha Çupi.

Kujtojmë se mes kaosit të Rithemelimit, Kuvendi votoi më 21 dhjetor ligjin për Komisionet Hetimore. Me 75 vota pro u votua ligji i ri i cili përcakton qartë sipas socialistëve objektin e komisioneve hetimore.

Ligji i ri sipas socialistëve qartëson balancën mes legjislativit dhe organeve të drejtësisë, ndërsa përcakton qartë se kur do të ngrihet një komision hetimor, ndërkohë që sipas mazhorancës deri më tani komisionet hetimore janë përdorur për luftë politike.

Këto ndryshime ligjore opozita i ka kundërshtuar dhe i konsideron si tentative të mazhorancës për t’i hequr të drejtat që opozitës ia jep Kushtetuta.

Pavarësisht thirrjes së të dyja palëve të opozitës për të kthyer ligjin për “Komisionet Hetimore”, si rrugë që do të ndihmonte futjen në shinat e dialogut politik, opozitën dhe maxhorancën, presidenti Bajram Begaj dekretoi më 18 janar ligjin e ri të komisioneve hetimore.