Më 3 prill do të nis një proces i gjatë gjyqësor për Hashim Thaçin dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 
 
 
 
 

Kjo është konfirmuar ditën e sotme në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Të hënën do të jepen deklaratat hyrëse të prokurorëve dhe avokatëve ndërsa më 11 prill do fillojë paraqitja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve.

Aktakuza që është në fuqi për këtë çështje gjyqësore është e datës 24 shkurt e këtij viti, ku sipas saj pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbajnë përgjegjësi penale individuale për krime të kryera. Ndaj ish-krerëve ka gjashtë akuza që përfshijnë për krime kundër njerëzimi dhe katër akuza për krime lufte si vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë.

 
 

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer 1998 – 1999 në disa vende në Kosovë, në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut, nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk merrnin pjesë në luftime.

140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrje në procesin gjyqësor. Nga këta persona ata që demostrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e krimeve të paraqitura në Aktakuzë paraqesin kërkesë për të marrë pjesë. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti ose kanë një viktimë të afërt që pretendohet se është vrarë apo lënduar.

Ndërkohë sot prej orës 14, dhjetëra qytetarë në Prishtinë po marshojnë për drejtësi, në një organizim të nismës “Liria ka emër”.

Organizimi i procesit gjyqësor në Gykatën Speciale në Hagë

Nga 3 prilli, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse ku i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që avokati i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023. Datat dhe oraret e të gjitha seancave publike të planifikuara mund të shihen në kalendarin e gjykatës në faqen e DHSK-së. Gjithashtu, në kanalin e DHSK-së në YouTube do të jetë incizimi i deklaratave hyrëse.