Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, theksoi se vizitat zyrtare midis liderëve të dy vendeve të Türkiyes dhe Egjiptit do të kenë një "ndikim të caktuar në promovimin" e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë pjesëmarrjes së tij të parë në Forumin e Diplomacisë në Antalya, Shoukry për Anadolu tha se, "Takimet e mëparshme të zhvilluara midis Presidentit Erdoğan dhe Presidentit Sisi ishin për të nisur një fazë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve".

"Shpresojmë që me rifillimin e marrëdhënieve më produktive, do të ketë një nivel më të madh koordinimi ku të dyja vendet duke shfrytëzuar aftësitë dhe madhësinë e tyre do të kenë ndikim në situatën dhe në sfidat që ekzistojnë në rajonin tonë", deklaroi kryediplomati egjiptian.

"Shpresojmë se do të gjejmë fusha bashkëpunimi dhe se mund të kemi një dialog produktiv lidhur me interesat tona", shtoi ai.

Lidhur me vizitën e ardhshme të presidentit egjiptian në Türkiye, Shoukry, tha se "data nuk është caktuar ende", dhe se "presidenti mezi pret mundësinë për të qenë në Ankara për të vazhduar dialogun e tij me Presidentin Erdoğan".

"Mundësia që krijohet nga këto vizita do të ketë një ndikim të caktuar në promovimin e marrëdhënieve dhe në inkurajimin e sipërmarrësve nga të dyja palët që të eksplorojnë më tej mundësitë që ekzistojnë dhe të përfitojnë plotësisht prej tyre", tha Shoukry.

Më 14 shkurt, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një vizitë zyrtare historike në Kajro, pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe.

Vizita shënoi vizitën e parë të presidentit turk në Egjipt që nga viti 2012.

Korrikun e kaluar, Türkiye dhe Egjipti ngritën marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe emëruan ambasadorë.

Lidhjet mes dy vendeve që nga viti 2013 kishin qenë në nivelin e të ngarkuarve me punë./aa