Për gjysmën e parë të vitit 2024, të tre grupet e ndërmarrjeve (të vogla, të mesme dhe të mëdha) presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit financiar, krahasuar me periudhën paraardhëse.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë ”Mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve”, rreth 94% e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë raportuar fitim gjatë periudhës.
Përsa i përket sfidave të aktivitetit gjatë periudhës, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme listojnë ‘konkurrencën’ dhe ‘gjetjen e tregut’ , ndërsa ndërmarrjet e mëdha i lidhin vështirësitë kryesore me ‘rritjen e kostove të prodhimit dhe të punës’ dhe me ‘gjetjen/ruajtjen e stafit të kualifikuar’ .
Ndërkohë që pesha e ndërmarrjeve që kanë hua për të paguar ka rezultuar në rënie.
Sipas BSH-së, rreth 36% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar. Kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, gjë që është e pritshme në kushtet e rritjes së kostove të financimit në vend dhe gjendjes së mirë të likuiditetit të ndërmarrjeve.
Rreth 87% e ndërmarrjeve e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes, por ndërmarrjet e vogla shfaqin kërkesë më të lartë për financim. Huamarrja është realizuar vetëm në monedhën vendase për 61% të ndërmarrjeve të vogla, 58% të ndërmarrjeve të mesme dhe 43% të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që pjesa tjetër është në valutë ose e kombinuar.
Raporti “Hua/kapital” ka shënuar rënie për totalin e ndërmarrjeve të vrojtuara krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, bën të ditur BSH-ja.
Vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e kapitalit të ndërmarrjes për rreth
85% të tyre dhe pothuaj e njëjtë me vlerën e kapitalit për 8% të tyre, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 7% raportojnë që vlera e huasë e tejkalon atë të kapitalit./ata