Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri në vitin 2022 është 20.6 %, duke shënuar një rënie prej 1.4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
INSTAT publikoi sot rezultatet e vitit 2022 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ), e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material dhe social në familjet shqiptare.
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 lekë që ishte në vitin 2021. Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 622.705 individë të vlerësuar në vitin 2021.
Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 7.4 %. Duke filluar nga viti 2021, treguesi i privimit material, intensiteti i ulët në punësim dhe rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) është modifikuar nga ana metodologjike duke u bazuar në objektivin e ri të Bashkimit Europian “Europa 2030’’ (Shih Metodologjia).
Sipas objektivit të vendosur nga Bashkimi Europian për mbrojtjen e të drejtave sociale të përfshirë në agjendën “Europa 2030”, popullsia që është në rrezik për të qenë e varfër ose në përjashtim social (AROPE) duhet të reduktohet me të paktën 15 milion deri në vitin 2030 dhe prej tyre të paktën 5 milion duhet të jenë fëmijë.
Ky është treguesi kryesor për monitorimin e objektivit të Europa 2030 për varfërinë dhe përjashtimin social dhe ishte treguesi kryesor për monitorimin e varfërisë në Strategjinë Europa 2020.
Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) në vitin 2022, sipas strategjisë Europa 2020 është vlerësuar 41.6 %, kundrejt 43.9 % vlerësuar në vitin 2021 ndërsa sipas agjendës Europa 2030, ky tregues është vlerësuar 44.5 %, kundrejt 46.6 % vlerësuar në vitin 2021.
Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.
Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2022 është vlerësuar 36.5 % kundrejt 24.5 % që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare./ata