Lezha përkujtoi 580-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë, për të luftuar kundër regjimit otomanë. Kjo datë historike bëri bashkë autoritete nga të gjitha trevat shqiptare, mes të cilëve edhe një delegacion i arbëreshëve të Italisë.

Aktivitetet nisën me një marshim të kalorësve dhe nxënësve të shkollave në Bulevardin "Gjergj Fishta", me veshje popullore, ku spikati një i veshur si Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Më pas u bënë homazhe duke vendosur kurora më lule në obeliskun e Besëlidhjes.

Festa në nderim të kësaj ngjarjeje historike, u zhvendos në sheshin "Gjergj Kastrioti", ku zyrtarët vizituan panairin e artizanatit me punime të ndryshme të realizuar më mjeshtëri.

Më pas Presidenti Bajram Begaj, nën shoqërinë e drejtuesve vendorë dhe të diasporës, bën homazhe në memorialin e Gjergj Kastriotit. Në fjalën e tij, kreu i shtetit e cilësoi këtë ditë si dëshmi të unitetit të shqiptarëve.

“Bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.

Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë. Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë.”, tha Begaj.

Veprimtaritë në përkujtim 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, vijuan në pallatin e Kulturës ku përshëndeten autoritetet e pranishme, si dhe u mbajt një koncert muziko-letrar në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit.