Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se, “qeveria ka miratuar sot akte të rëndësishme në mbështetje të sistemit arsimor, që kanë të bëjnë me transformimin e strukturave specifike siç janë ato me orientim artistik dhe sportiv”.
Manastirliu tha se, “vendimi i qeverisë konsiston në transformimin e institucioneve arsimore artistike dhe sportive, duke i dhënë atyre status të veçantë sipas plotësimit të kritereve specifike në këto shkolla”.
Sipas saj, “fëmijët në shkollat artistike do të kenë një kurrikul të posaçme që do të adaptohet sipas kërkesave dhe gjithashtu do të kemi një organizim specifik të këtyre shkollave, duke u fokusuar jo vetëm në mbështetjen e stafeve arsimore të këtyre shkollave, por edhe në hapjen e shkollave sipas nivelit të një autonomie”.
“Pra status i veçantë do të thotë niveli i autonomisë, sa i takon kapaciteteve financiare por edhe stafeve të mësuesve”, tha ajo.
“Në këto shkolla ne kemi mbi 2700 nxënës të cilët do të përfitojnë. Këto janë shkolla me tradita, janë shkolla të identitetit tonë të cilat ne synojmë t’i fuqizojmë dhe t’i çojmë përpara edhe nëpërmjet formave të reja të menaxhimit duke iu përshtatur edhe kritereve dhe kërkesave që ne duhet të plotësojmë”, tha Manastirliu.
Sipas saj, këto shkolla do të kenë mundësi të riorganizohen duke përfituar statusin e veçantë sipas kritereve specifike që përcakton vendimi i qeverisë dhe do të kenë edhe një mbështetje të veçantë buxhetore për të rritur performancën e tyre dhe për të rritur interesin e nxënësve për të qenë pjesë e këtyre shkollave të orientuara./ata