Shqipëria do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të aplikojë për tu bërë pjesë e Sistemit Europian të Pagesave (SEPA).
Kjo vjen falë harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator nga Banka e Shqipërisë siç është evidentuar edhe nga një raport i Bankës Botërore, ku cilësohet se vendi ynë ka plotësuar nëntë kriteret e nevojshme.
Guvernatori Gent Sejko shpreh se përfitimet e të qenurit pjesë e këtij sistemi janë të shumta për individët, bizneset, por dhe turizmin.
“Banka e Shqipërisë po punon shumë fort këto ditë për të arritur afatet e aplikimit. Ne do duhet të dorëzojmë aplikimin tonë deri në fund të qershorit dhe besoj se dy – tre muaj pas aplikimit ne do të jemi pjesë e Sistemit të Unifikuar të Sistemit Europian të Pagesave. Kjo është një përfitim mjaft i madh për individët, bizneset dhe emigrantët, gjithashtu turistët, pasi komisionet do të jenë më të ulëta, transaksionet më të shpejta, bizneset do të përfitojnë, importuesit dhe eksportuesit do të përfitojnë, por dhe individët, ne jemi koshientë, që kemi një numër të lartë individësh që punojnë në shtetet e huaja dhe sjellin të ardhura për familjet e tyre”.
Sipas Bankës së Shqipërisë ngritja e sistemit ndërbankar në vend për transfertat në euro nga 2022-shi i kurseu qytetarëve 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë
“Besoj vitin e parë ne mund të kemi rreth 20 milion euro kursime nga komisione duke përfshirë individët dhe bizneset. Por, shifrat do të jenë goxha më të mëdha, është me disa herë kursimi, por ajo që ne shohim më gjerë, ky instrument, kjo arritje do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare, modernizimin e pagesave dhe paralelisht edukimin financiar që ne kemi si projekt madhor”, ka theksuar Guvernatori.
Kjo punë disavjeçare për integrimin në SEPA pritet të finalizohet me implementimin e një sistemi të shpejtë pagesash që do u mundësojë të gjithë aktorëve të transferojnë para në kohë reale. Sistemi do të nxisë konkurrencën mes institucioneve bankare dhe jo-banka, duke nxitur konkurrencën, ulur kostot dhe rritur cilësinë e shërbimit për përdoruesit përfundimtar.
“Kjo do të ishte një arritje dhe hap shumë i madh për të modernizuar edhe më tej sistemet e pagesave për të qenë në përputhje totale me sistemet moderne të Bashkimit Europian. Në arritjen e kësaj faze vendi ynë nuk do të ketë asnjë ndryshim për sistemet moderne të pagesave me vendet evropiane”, deklaroi Sejko.
Dalja e vendit nga lista gri e MoneyVal ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm në integrimin e plotë të Shqipërisë në tregun financiar të BE-së./ata