Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi informoi sot se, gjatë muajit shkurt janë regjistruar mbi 1.3 milionë aplikime për shërbime elektronike dhe rreth 570 mijë dokumente me vulë elektronike u gjeneruan përmes e-Albania.

 

Ekonomi bëri të ditur se, afro 2.3 milionë përdorime për shërbime dhe pothuajse 20 milionë transaksione u regjistruan gjatë shkurtit në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.

 

“Në platformën e-Albania janë regjistruar 1 352 098 aplikime për shërbime. Nga këto 573 639 dokumente me vulë elektronike të gjeneruara; 2 270 692 përdorime të shërbimeve elektronike dhe 19 968 632 transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit”, tha ajo.

 

Platforma “e-Albania” ofron 1227 shërbime elektronike për qytetarët shqiptarë, të cilat kursejnë kohë e para qytetarët dhe bizneset.

 

Portali unik qeveritar shumëfunksional “e-Albania.al” administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.

 

Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike. /ATSH