Komandanti i NATO-s gjeneral lejtnant Juan Pablo Sanchez De Lara deklaroi sot nga Kuçova se Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.
Në ceremoninë e hapjes së bazë ajrore të NATO-s, në Kuçovë, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike, De Lara tha se përurimi i saj dëshmon se aleanca jonë, me një qasje 360 gradëshe është e angazhuar mjaft në rajon dhe se koalicioni merr në konsideratë angazhimin e Shqipërisë për sigurinë e NATO-s si e tërë.
“Nga qendra jonë jemi tejet të angazhuar të mbrojmë qiejt e NATO-s. Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s në 2018, si pjesë e përpjekjes së saj për të rritur ndërveprueshmërinë dhe integrimin me Aleancën Atlantiko-Veriore, me synim për të siguruar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha zyrtari i NATO-s.
De Lara u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen ajrore të NATO-s është simbol i kontributit të saj në këtë pjesë të Aleancës dhe kjo dëshmon unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s, si po tregojmë aktualisht në rastin e sulmi të paligjshëm e pushtimit të paligjshëm rus në Ukrainë.
“Duke punuar së bashku në kuadër të sistemit ajror të përbashkët të mbrojtjes antiraketë, ne garantojmë siguri për njerëzit tanë, garantojmë ecuri, gjithashtu edhe duke ndërtuar solidaritet dhe besim të ndërsjellë që janë dy instrumente kryesore në NATO”, vijoi komandanti De Lara.
Falë përpjekjeve që janë bërë shumë paraardhës tanë dhe nga autoritet shqiptare, theksoi ai më tej, mund të themi se Aleanca e NATO-s garanton në mënyrën më të mirë sigurinë e hapësirës ajrore.
“Kështu funksionon NATO, duke pasur e ndarë të njëjtat vlera, në kohë paqeje e mbrojtjeje, pavarësisht se kush apo kujt, në përpjekjen tonë kolektive. Kjo është e bukura e NATO-s, e bukura e suksesit tonë prej 78 vitesh, me sfidat e veta, por me një shfaqje të kohezionit dhe solidaritet mes vlerave të përbashkëta”, tha ai.
Jam i sigurt, vuri në dukje ai, se baza e Kuçovës do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe do të përmirësojë besueshmërinë, rezistencën dhe bashkëveprimin në kuadër të Aleancës.
“Këto instalime ndihmojnë të kemi më tepër mundësi e gatishmëri ushtarake. Pikësëpari e mbi të gjitha, duhet të jemi e do të jemi të gatshëm jo vetëm për këtë, por edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të kontribuojë në përpjekjen e përgjithshme të parandalimit dhe për të dëshmuar veprimin e pandalshëm të NATO-s për siguri e paqe”, u shpreh De Lara.
Ai siguroi se veprimtaritë mbresëlënëse që janë zhvilluar këtu do të çojnë në rritje të kapaciteteve të NATO-s dhe Shqipëria do të jetë edhe më e sigurtë dhe më e mbrojtur brenda NATO-s./ata