Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot për herë të parë në Tiranë, takimi i Rrjetit Parlamentar “Gratë të Lira nga Dhuna” dhe i Komisionit për Barazi dhe Mosdiskriminim i Këshillit të Europës, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me AP të KiE.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e pranishme në këtë takim u shpreh në fjalën e saj se, pabarazia e grave nuk është vetëm çështje e tyre, por e të gjithë shoqërisë.

Nikolla theksoi se, nuk mund të flitet në të ardhmen e afërt për ngushtim të pabarazive gjinore dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë.

“Gratë e lira janë treguesi më domethënës i një shoqërie të lirë. Liria e grave pengohet dhe ngadalësohet nga pabarazia gjinore”, u shpreh Nikolla.

“Çlirimi nga dhuna është një proces adaptiv dhe që të kemi sukses në këtë luftë duhet të jemi të qartë për vizionin dhe premisat nga duhet të nisemi. Pabarazia e grave dhe vajzave nuk është një çështje vetëm e tyre, por e gjithë shoqërisë. Pabarazia e grave nuk është një dukuri në periferi të shoqërisë, por shpesh edhe në mes të institucioneve të shoqërisë”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.

Nikolla nënvizoi se, “jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve të përfshira në zgjerimin e hapësirave të lirisë së grave, kemi një gjendje asimetrike midis investimit shoqëror për lirinë, çlirimin e grave nga pabarazitë gjinore”.

Sipas saj, ky investim i shoqërisë nuk i është kthyer ende.

“Pabarazia gjinore nuk mund të ngushtohet të paktën sot dhe në të ardhmen e afërt nuk mund të bëhet fjalë për eliminimin e saj me tregues statistikor, por me elementë zhvillimi dhe emancipimi të shoqërive tona”, tha Nikolla./ata