Zero pikë në 2024, kjo është një statistikë që flet qartë, tregon situatën reale ku ndodhet Kukësi. Si kurrë më parë, që nga dita kur u rikthye në elitë, ekipi verilindorë nuk ka njohur një rendimet të tillë, një rekord negativ që pritet të ketë një ndikim shumë të madh këtë sezon. Kukësi është kthyer në kandidatin kryesor për të rënë një kategori më poshtë, të paktën për momentin, teksa ndodhen në vendin e fundit në kuotën e 19 pikë pikëve, 9 pikë larg zonës “play-out”.

Nuk kanë asnjë efekt ndryshimet e vazhdueshme në pankinë. As Bledar Devolli, trajneri aktual, i katërti këtë sezon, nuk ka arritur ende të marrë qoftë edhe një pikë në krye të Kukësit, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Emilano Çela.

Kupa mund të ishte një shans për të ndezur edhe një herë këtë sezon, por nuk pritet asnjë mrekulli përballë Partizanit, në një kohë kur humbën edhe ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 1-0. Si të mos mjaftojnë këto detaje, Kukësit duhet të bëjë llogaritë edhe pa tifozët e tyre në katër ndeshjet e radhës.