Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit për sekuestron e telefonit dhe kërkon kthimin e tij. Më datë 4 janar, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Kryemadhit për t’i kthyer telefonin, kështu deputetja i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë.

Ende nuk është caktuar data se kur do të zhvillohet seanca, por relator i çështjes është xaktuar gjyqtari Ilir Panda. Kërkesa e Kryemadhit për t’ja kthyer celularin, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, që e konsideroi përpjekjen gjyqësore të deputetes të pabazuar ne ligj dhe në prova.

Shqiptarja.com ka mësuar se telefoni iphone i deputetes Kryemadhi është sekuestruar në kuadër të hetimeve të SPAK për lobimin e LSI-së në SHBA.

Kujtojmë se në lidhje me hetimet për lobimin, më 21 korrik të vitit të kaluar, ish-kryetari i LSI-së, sot Partia e Lirisë,  Petrit Vasili, u thirr nga SPAK, ndërsa në prill të 2023 ishte thirrur edhe Endrit Braimllari, ish-deputet i LSI-së.

Hetimet e SPAK, nisën për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, pa emër personi të dyshuar, pas kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri, që akuzoi partinë e drejtuar asokohe nga Ilir Meta, se ka paguar 700 mijë dollarë për lobimin në SHBA, përfshirë vizitat në SHBA edhe një foto me ish-presidentin republikan Donald Trump.

Më 16 maj të vitit 2022, gazeta austriake "Kronen Zeitung" publikoi një artikull ku theksoi se Meta pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote për të siguruar foton në ceremoninë e inaugurimit të Trump.