Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, Sali Berisha e ka hallin tek vendimi i gjykatës në 3 mars, jo tek debati në Kuvend.

 

“Kur një pretendet për kryetar partie, që ka një çështje me një grupim tjetër, thërret protestë ditën e vendimit të Gjykatës, tregon se në këtë vend edhe pas 30 viteve është e njëjta mendësi, t’i imponohesh gjykatës me forma dhune e proteste”, tha ai.

 

Në një prononcim për mediet, nga selia e Kuvendit, Balla tha se, mocioni me debat i kërkuar nga opozita u caktua brenda afateve që përcakton rregullorja e Kuvendit.

 

“Mocioni do të zhvillohet në datën 2 mars. Ishte e pamundur të zhvillohej këtë javë, për shkak të një vizite të Kryeministrit në dy vende mike të Shqipërisë, për të çuar para dy projekte të mëdha. Opozita ka të drejtë të kërkojë, por jo të imponojë. Kemi thënë se do të zbatohet afati 30-ditor i zhvillimit të mocionit me debat”, tha Balla.

 

Sipas tij, nuk ka asnjë shkelje të rregullores, por opozita do të nxjerrë një artificë tjetër.

 

Balla kërkoi nga opozita që të ndërgjegjësohet dhe mos të zaptojë më foltoren e Kuvendit.

 

“Rregullorja e saktëson qartë se, kur një deputet zapton foltoren masa disiplinore tregohet qartë. Të shpresojmë që në 23 shkurt të kemi një seancë normale. Masa u morën për bllokuesit e punimeve. Por kam bindjen se seanca do të bllokohen deri kur Berisha do të vazhdojë që t’i bëjë presion drejtësisë”, tha ai./ATSH