Deputetja e PD, Ina Zhupa thirri sot në interpelancë ministren e Kulturës, Elva Margariti.

 

Në fjalën e saj, Zhupa tha se, “monumentet e trashëgimisë kulturore kanë degraduar”.

 

“Ne sot do të trajtojmë çështje të trashëgimisë kulturore në lidhje me qytetin e Durrësit dhe Tiranës. E thirra miniistren në interpelancë për deklaratat e saj publike. Kjo është ministrja e Kulturës që jo vetëm është e tillë, por planet e saj të vetme janë koncesione. Në Durrës në hyrje të amfiteatrit është “Monument kulture mbrohet nga shteti”. Risia që do të sjellë Margariti është të bëhet: “Amfiteatri, monument kulture mbrohet nga privatë”, tha Zhupa

 

Në vijim, Zhupa deklaroi se, Margariti mbrojti piramidën e diktatorit për të ushqyer nostalgjinë e së shkuarës.

 

“Margariti mbrojti piramidën dhe tha se, është e rëndësishme të ua tregojmë fëmijëve tanë. S’ishte e rëndësishme t’u tregonim Teatrin Kombëtar. Por kur vjen puna për të ruajtur objektet e diktaturës janë të rëndësishme dhe krijojmë dhe të reja për të ushqyer nostalgjinë e komunizmit”, tha ajo.

 

Në vijim, Zhupa theksoi se, “Bashkimi Evropian ka një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore, raporti i fundit 2021 e ka cilësuar Shqipërinë si vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e siteve dhe monumenteve kulturore duke e vënë me pikë të kuqe dhe është vënë në vitin 2020-2021, ku Margariti ka qenë ministre e Kulturës.

 

“Kjo është Shqipëria e shkatërrimit të identitetit se, nëse neve sot na ikin shqiptarët, duam të shkatërrojmë dhe trashëgiminë kulturore që nesër pasi të ikin shqiptarët e të vinë marokenët, të mos keni problem t’i ndryshoni emrin. Qytetet janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që keni bërë dhe e thoni UNESCO ka vetëm mendim rekomandues”, tha Zhupa.