Elbasani është kthyer në një atmosferë festive 10 ditë para festës së Ditës së Verës, e cila rrënjët i ka tek ky qytet.

Bashkia Elbasan, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja e nisin kalendarin e festimeve më herët se çdo vit, duke u kujdesur të përfshijnë çdo traditë ashtu siç e meriton ky qytet, i cili ka edhe ekskluzivitetin e kësaj feste e ruajtur “gjallë” prej shekujsh.

Kryebashkiaku Gledian Llatja bëri një përmbledhje të aktiviteteve dhe pikave të shumta në qytet ku do të gjallërohet kjo festë për 10 ditë me radhë.

Ai ftoi mbarë qytetarët e vendit dhe jo vetëm, të vijnë në Elbasan për të festuar Ditën e Verës, në qytetin ku festa lindi dhe u trashëgua brez pas brezi.

“Për të shijuar këtë atmosferë shumëngjyrëshe nga data 4 deri më 14 mars, qyteti do të përfshihet nga një larmi festive me shumë aktivitete si, ekspozita, konkurse, panaire, poçeri, koncerte dhe shumë e shumë të tjera”, pohoi Llatja.

“E nisëm me fëmijët, me aktivitetet e kopshteve, për të vijuar me Qendrën Kulturore të Fëmijëve, më pas me Teatrin ‘Skampa’, ku një sërë aktorësh dhe këngëtarësh do të interpretojnë në skenë. Sakaq ditën e shtunë aktivitetet do të fokusohen në sheshin e qytetit, të dielën në Elbasan rivjen Retro, për të gjithë të apasionuarit e mjeteve të vjetra, aktivitete që nisin paradite dhe përfundojnë në mbrëmje”, shtoi ai.

Me një dekor me lule shumëngjyrëshe që lajmërojnë ardhjen e pranverës është zbukuruar i gjithë qyteti, madje edhe vetë lokalet në qendër për nder të kësaj tradite shekullore kanë zbukuruar ambientet e jashtme dhe fasadat me shumë drita dhe plot gjallëri.

Kjo festë pagane me origjinë nga Elbasani, parashikon që edhe këtë vit të mbushë qytetin me miq nga vendi dhe jo vetëm.

Festa vjen edhe me shumë risi, ku ashtu si çdo vit axhenda e festimeve pasurohet me detaje të cilat nuk i kemi parë më herët. Për herë të parë do të organizohet parada me trupat e asambleve nga i gjithë qarku i Elbasanit si dhe Maqedonia e Veriut.

“Të hënën në vijim do të vendoset edhe skena e madhe ku do të fillojnë performancat. Këtë vit do të rikthehet edhe Defileja, ekspozita e rrobave tradicionale e trevave të gjitha krahinave shqiptare. Në datën 12 aktivitetet do të nisin nga stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” për të përfunduar tek sheshi i qytetit ku të gjitha grupet artistike do të kenë performancën e tyre”, tha Llatja.

Këtë vit nuk mungojnë edhe ekspozitat, ajo e pikturës, ekspozita e nxënësve të shkollës artistike “Onufri”, por edhe mundësi për të gjithë qytetarët e Elbasanit që kontribuojnë për çështje specifike.

Në sheshin kryesor do të performojnë një sërë këngëtarësh me emër në vend por edhe këngëtarët e rinj të Elbasanit.

14 Marsi është një ditë aktivitetesh të shumta, ekspozita, panairi, si edhe panairi i gatimeve tradicionale të Elbasanit.

“E kemi promovuar çdo vit, por do ta vazhdojmë atë me ‘Sofrën elbasanase’, që do të shtrohet për të promovuar gatimet tradicionale të Shqipërisë së Mesme. Fëmijët do të jenë epiqendra e Ditës së Verës, por edhe të rinjtë e të rriturit. Të gjitha pikat e qytetit do të jenë aktive dhe do të gumëzhijnë nga festat dhe njerëzit”, tha Llatja.

Risia e kësaj feste, është një traditë e Elbasanit në një ekspozitë vetëm me fëmijët, ku do të prezantohen tavat e Elbasanit si traditë e kulinarisë së Elbasanit në bashkëpunim edhe me kuzhinierët e qytetit.

Për herë të parë në bibliotekën e qytetit do të mbahet një simpozium mbi historikun e Ditës së Verës.

“Dita e Verës është e Elbasanit, pavarësisht se është kthyer në një festë kombëtare, mund të huazohet kjo ditë, por asnjë nuk e feston si Elbasani. Ndaj ftoj të gjithë miqtë, qytetarët, artdashësit, ata që duan traditën dhe kulturën nga vendi dhe jashtë tij, të vijnë në Elbasan, të festojmë këtë ditë së bashku, dhe të mirëpresim pranverën, stinën e mirësisë dhe begatisë”, përfundoi Llatja./ata