Në Metropolitan Opera të Nju Jorkut, është çelur një ekpozitë e artistes Aliza Nisenbaum. Mes pikturave të ekspozuara në MetOpera është edhe sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho.
“Jam e nderuar që jam pjesë e ekspozitës, në rolin aq sfidues e kuptimplotë të Violetës. Falenderime artistes dhe teatrit për këtë kremtim kaq special të Violetës time të 310-të, personazhi që më prezantoi me botën e mrekullueshme të operës”, shkroi sopranoja Jaho, në rrjetet sociale.
Ekspozita e këtij sezoni, në Metropolitan Opera, e kuruar nga drejtori i Gallery Met, Dodie Kazanjian, përmban katër piktura të reja nga Aliza Nisenbaum: portrete të Nadine Sierra, Ermonela Jaho dhe Angel Blue, çdonjëra e njohur për interpretimin e Violetës, në La Traviata të Verdit.
3 sopranot janë instaluar në Grand Tier dhe një diptik është instaluar në Rrethin e Veshjeve që përshkruan botën e padukshme pas skenës: rekuizita, kostume, vegla dhe një mori njerëzish duke përfshirë ekipet e skenës, skenografët, artistët e grimit dhe dirigjentët që bëjnë të mundur një produksion.
Për portretet e divave, Nisenbaum kaloi kohë me secilën, gjatë provave të kostumeve, në dhomat e tyre të zhveshjes dhe më pas ndërsa bëheshin gati për të performuar. Personazhi i Violetta-s, një femër plot tension, konsiderohet si një nga rolet më sfiduese në opera. Secili prej tre yjeve ka ndjenjat, sfidat dhe qasjet e veta për ta luajtur atë, të pasqyruara në këto portrete intime. Jaho, siç shënon edhe titulli i portretit të saj, e ka interpretuar këtë personazh mbi 310 herë.
Pikturat e fundit diptike të Nisenbaum janë fokusuar në portretet në grup. Këtu, ajo zgjodhi të përqëndrohet në komunitetin më të madh të teatrit të operës dhe botën e saj të prapaskenës – duke i bërë homazh turmës së njerëzve që mbeten prapa skenave, por janë krejtësisht thelbësore për magjinë që shpaloset çdo mbrëmje për audiencën./ata