Në një bisedë me një prej kuratorëve të ekspozitës “Gjyqet”, u rrekëm të cekim përvojën e tij kërkimore në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, si një intuitë dhe artikulim përmes përzgjedhjes e konceptimit të ekspozitës,si  një qasje pa pozim por thellësisht të vërtetë.

Si kurator, Zef Paci e sheh ekspozitën si një mundësi që nëpërmjet shprehjeve, grimasave e gjesteve të subjekteve të përçohej një gjendje njerëzore e caktuar, sic ishin gjyqet, si një moment i dhimbshëm, e që fliste shumë nëpërmjet potencialeve të fotografisë.

“Përpjekja ka qenë që ajo çka shpërfaqej në faqet e albumeve dhe në skanimet e negativave, të merrte një trajtë, një formë, një trup, që t’i përshtatej ndjesisë që përçonte në marrëdhënie me hapësirën ekspozuese të një muzeu të fotografisë e ajo ndjesi mundësisht të kalonte te spektatorët”.

Si artist Zefi gjen një detaj edhe më  shumë kur thotë se rivizita në arkivin e ATSH-së i tha veç të tjerash se ka ndryshuar…

Pjesa krijuese e fotografisë është shumë e shkurtër. Një piktor mund të përpunojë, një shkrimtar po ashtu, ndërsa fotografi zgjedh një moment, momentin vendimtar. A ndikon kjo në ndonjë mënyrë qëndrimin tuaj ndaj një historie kur jeni duke punuar për një audiencë të caktuar? Apo vazhdoni të ndiqni mendimet tuaja, pra është ende e njëjta intuitë në një farë mënyre?

Shkrepja e një fotoje ngërthen sa një çast të caktuar aq edhe përvojën e fotografit si dhe të subjektit në këtë fushë, edhe vëmendjen që i kushtohet këtij procesi nga të dyja palët, sipas rrethanave të realizimit të saj.

Pa dyshim që përballë një arkivi mendoj se parësore është ta pësosh atë duke përjetuar atë çka të shfaqet para syve. Gjithashtu ta ndjesh atë duke marrë parasysh kontekstin, rrethanat, burimin dhe qasjen dhe funksionin e atij arkivi (në rastin konkret të arkivit fotografik të ATSH-së). Por kjo nuk e zhvesh nga subjektiviteti, predispozita e individit që mund të preket nga diçka e posaçme dhe e ndryshme nga një individ tjetër.

 Ju keni pasur kontakt me arkivin e ATSH-së disa vite më parë. Cila ishte ndjesia juaj gjatë “zbulimit” të tij?

Kontaktin e parë të thelluar me arkivin e ATSH-së e pata para disa vitesh (në vitin 2015) me ekspozitën që kurova me rastin e hapjes së COD. Ishte një përvojë e çmuar dhe e posaçme, si një arkiv zyrtar, i krijuar qysh në krye të herës si një memorie kolektive e që kishte shërbyer si burimi që furnizonte organet zyrtare të shtypit, ndryshe prej arkivit të Muzeut Marubi që, vërtetë përbën tashmë një memorie kolektive por të formuar prej memoriesh personale. Aty ndesheshe me këtë qëndrim gjithëpërfshirës që artikulohej në fusha të ndryshme të jetës së vendit, e rrokjezuar në sektorë si politika, ndërtimi, bujqësia, kultura, arti, sportet etj. Ky zbulim ishte ekzaltues, e siç ndodh rëndom me fotografitë, edhe me një ndjesi voyerizmi, e me një kureshtje për të gjetur edhe ndonjë shkarje a devijim të vogël ashtu si edhe për të ndjerë shpesh edhe mungesën e tyre. Ekspozita e atëhershme rrekej të nxirrte në pah pikërisht këto ndjesi. Kjo vinte edhe prej dëshirës për të vërejtur cilësinë e këtij mediumi si regjistrues i një realiteti që ka kundruall, si një tregues, një gjurmë.

Pjesa më e madhe e vëmendjes që rrethon këtë ekspozitë është përqendruar në personalitetin e subjektit, misteriozë, të çuditshëm, të frikësuar.. Por jashtë kësaj, cilat janë ndjenjat tuaja kuratoriale për punën e fotografëve?

Ekspozita në fjalë ka në vëmendje pikërisht këtë gjendje njerëzore që përshkruani më sipër. Kjo zgjedhje, e vendosur bashkarisht me bashkëkuratorët, z. Luçjan Bedeni dhe z. Lek Gjeloshi, erdhi mbas një ‘krehjeje’ masive të arkivit të ATSH-së. Ju e dini, se kaluam muaj duke parë albumet e fushave të ndryshme dhe mbas shumë propozimesh, diskutimesh e reflektimesh të ndryshme, u vendos të hiqej dorë nga mëtimi i pamundshëm i një ekspozite përmbledhëse. Kjo edhe duke pasur parasysh hapësirat ekspozuese. Zgjidhja shkoi drejt zgjedhjeve të fotografisë së gjyqeve si një moment i dhimbshëm, e që fliste shumë e që fliste pikërisht nëpërmjet potencialeve të fotografisë. E prandaj ishte një mundësi e madhe që nëpërmjet shprehjeve, grimasave e gjesteve të subjekteve të përçohej kjo gjendje njerëzore (Baudelaire: e vërteta e thekshme e gjesteve në rrethanat madhore të jetës). Për më tepër që në këto rrethana kërcënuese prej subjekteve nuk kihej kujdes qëndrimi para fotografit por reagimet, mbrojtjet, shfajësimet përballë akuzuesve. Nuk merrej parasysh figura dhe akti i fotografit, pra nuk kishte pozim. Ishte një gjendje thellësisht e vërtetë, gjë e cila ishte diçka jo shumë e shpeshtë në atë arkiv.

 Sa negativë keni zbuluar për të realizuar këtë ekspozitë?

Unë di që kam parë, disa mijëra imazhe në pozitiv në albumet e ATSH-së. Një numër të madh kanë parë edhe Leka e Luçjani. Gjithsecili prej nesh ka bërë përzgjedhjet e veta. Nga ky fakt, mendoj se është bërë një përzgjedhje fillimisht shumë e gjerë.

Nga ato që keni zbuluar, sa janë shikuar? I keni kaluar të gjitha nëpër duar për të krijuar këtë ekspozitë?

Janë shikuar të gjithë ato që janë zbuluar dhe pastaj është zgjedhur. Natyrisht në kolegjialitet.

Kur po përgatisnit ekspozitën, si e bëtë përzgjedhjen?

Siç ju thashë, prirja ishte të linim imazhet të vepronin mbi ne dhe pastaj të vendosnim se ku të ndaleshim. Dhe në një temë (atë të gjyqeve) ishim të gjithë të një mendjeje për fuqinë, intensitetin dhe njëherësh për leximet e ndryshme që sillnin kohë të ndryshme.

Në këndvështrimin tuaj çfarë dukej se e interesonte fotografin kur ka shkrepur foton. Nga çfarë tërhiqej syri i tij?

Mendoj se fotografët e caktuar për të kryer këtë shërbim ishin profesionistë (edhe pse nuk u gjetën emrat e tyre), por nga ana tjetër, edhe kanë realizuar foto që dokumentojnë e kështu mbështeten në serialitet. Kjo përsa i përket të njëjtit mjedis, të njëjtëve elementë, të njëjtës pikëpamjeje, të njëjtit ndriçim. Pra duket një regjistrim i paanshëm ku ngjan se pohohet thënia e Roland Barthes se “thelbësore për fotografët është të qenit në vendndodhje dhe jo në marifetet mjeshtërore të tyre”. Se fundja, janë të njëjtat imazhe që sot na ofrohen për t’u riparë apo rilexuar. E për ekspozitën u përdor pikërisht serialiteti i gjithë atyre elementëve, i cili nxirrte në pah brenda asaj përsëritjeje një laryshi gjestesh e grimasash njerëzore, si reagime kundrejt një gjendjeje dramatike.

Henrie Cartier Bresson ka thënë se fotografia synon të jetë një njohje e njëkohshme në një fraksion të sekondës së një ngjarjeje të një rëndësie të caktuar, duke i dhënë asaj shprehjen e duhur. Zbulimi i vetvetes bëhet njëkohësisht me zbulimin e botës që na rrethon, e cila mund të na brumosë, por shpesh edhe mund të ndikohet nga fotografi. Si rezultat i një procesi të vazhdueshëm reciprok, të dyja këto botë formojnë një të vetme. Është mbështetur kjo ekspozitë në ndonjë nga këto kritere?

 Fotografia ka qenë shembulli kryesor i mitologjisë së Roland Barthes si dhe i simulakrës së Baudrillard. Në vitet ’60 ajo kishte reshtur së qeni thjesht një objekt historik apo estetik për t’u kthyer, përkundrazi, në një objekt teorik. Adezioni i fotografisë ndaj strukturës së gjurmës, të treguesit, të matricës, e bëri atë objektin teorik përmes të cilit të hetohej natyra si “mit”, prodhimi i saj si maskë mbas së cilës mund t’i fshihen shikimit operacionet e historisë dhe politikës.

Fotografia e këtyre ngjarjeve, sidomos ajo që zgjodhëm të ekspozonim nuk mbështetej dhe aq në kriteret e H. C. Bresson. Ai ishte një fotograf që endej më i lirë në kërkim të subjekteve të veta në çastin vendimtar e fotografët tonë ishin të porositur. Por kjo nuk ia kishte humbur ngarkesën emocionale imazhit që ne shohim sot prej tyre.

Si është ky raport në këndvështrimin tuaj, pra çfarë ka marrë fotografi nga ajo kohë/botë dhe sa i ka dhënë njëkohësisht nga vetja? A kanë arritur këto botë të bëhen një?

Fundja, edhe përfshirja ose mospërfshirja e fotografëve emocionalisht në këtë proces na tregon diçka nga vetja e tyre, ose, të paktën, mundësinë që kishin për të dhënë nga vetja.

Fotografia është në një farë mënyre një proces mendor. Fotografi duhet të përpiqet të jetë i qartë në atë që kërkon të thotë. Dhe e parë nga syri i kuratorit, çfarë mendoni se ka qenë duke menduar fotografi në ato momente, ka qenë instikt, vullnet, intuitë, detyrë, frikë..?

Mendoj se ata po kryenin në mënyrë korrekte një porosi, por edhe pse kjo detyrë duke qenë në fushën delikate të politikës, ishte një detyrë nën presion, por ndoshta edhe pikërisht për këtë, imazhet që na sjellin ata fotografë, sot na tregojnë mjaft mbi atë fazë social-politike të vendit tonë.

Përsa i përket procesit të kurimit, përpjekja ka qenë që ajo çka shpërfaqej në faqet e albumeve dhe në skanimet e negativave, të merrte një trajtë, një formë, një trup, që t’i përshtatej ndjesisë që përçonte në marrëdhënie me hapësirën ekspozuese të një muzeu të fotografisë e ajo ndjesi mundësisht të kalonte te spektatorët.

A ju pëlqeu të rivizitonit arkivin tonë?

Së pari, ju falenderoj që më bëtë pjesë të këtij bashkëpunimi, besoj të frytshëm. ‘Krehjet’ e arkivave më ofrojnë përherë risi dhe më kujtojnë se mund të kem qenë ndryshe para disa vitesh që më kanë bërë përshtypje disa imazhe e më kanë shkarë disa të tjera. Ishte një mundësi të kthehesha rishtas në arkivin e ATSH-së e unë i çmoj rivizitimet në një arkiv kaq të rëndësishëm dhe unik.

Ekspozita vijon të jetë e hapur deri në 31 mars në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”./ata