Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në Berlin ku ndodhet për të marrë pjesë në paraqitjen e Shqipërisë në panairin ITB mori pjesë edhe në panelin për destinacionet rurale, organizuar në kuadër të panairit.

Kumbaro paraqiti në panel ofertën e gjelbër të turizmit shqiptar.

Në panelin “Quo Vadis, rural destinations?”organizuar në ITB Berlin bashkë me Kumbaron ishin edhe kolegë nga Europa.

“Treguam mundësitë e turizmit natyror dhe turizmit të qëndrueshëm që çdo vit e më tepër po bëhet i preferuar në Shqipëri, duke zgjatur sezonin përtej muajve të plazhit”, u shpreh Kumbaro.

“Vetëm në vitin 2023 patëm 4,6 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura, në parqet natyrore e ato kombëtare, që bashkë me agroturizmin stolisin tablonë e ofertës turistike për të dhënë të gjitha shijet e Shqipërisë”, përfundoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Më herët gjatë ditës së sotme, Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i nderit i ITB- Berlin 2025, panairit më të madh në botë të turizmit.

Marrëveshja u nënshkrua në stendën e Shqipërisë nga ministja Kumbaro dhe CEO i “Messe Berlin”, Mario Tobias./ata