Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka shqyrtuar librin “Dëshmia” të botuar nga Anadolu që dokumenton luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.

Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin Ankara me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, presidentit Abbas iu prezantua libri, i cili përmes fotografive të dokumentuara nxjerr në pah krimet e luftës të kryera nga Izraeli në enklavën palestineze të rrethuar.

Duke i shprehur mirënjohjen Anadolu-t për librin, Abbas theksoi rëndësinë e librit në zbulimin e krimeve të luftës të kryera nga Izraeli në territorin palestinez.

Publikimi i agjencisë turke të lajmeve bashkon prova vizuale të veprimeve izraelite në enklavën palestineze që nga 7 tetori i vitit 2023, duke përfshirë përdorimin e fosforit të bardhë.

Libri në fjalë gjithashtu u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Afrika e Jugut ngriti një rast duke akuzuar Izraelin për dështimin e tij në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, kur Tel Avivi beson se u vranë rreth 1.200 njerëz.

Në sulmet izraelite që vijuan në Rripin e Gazës që atëherë janë vrarë të paktën 30.700 palestinezë dhe janë plagosur mbi 72.150 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa