Të gjitha rrugët brenda Unazës së Vogël po rikonstruktohen dhe pajisen me sinjalistikën e nevojshme nga Bashkia e Tiranës.

 

Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku, Erion Veliaj, gjatë inspektimit për asfaltimin te rrugës pas Bankës së Shqipërisë.

 

Veliaj tha se e gjithë “Unaza e Vogël” do të shtrohet me asfalt të ri, për të lehtësuar edhe më shumë qarkullimin e mjeteve.

 

“Jemi duke punuar në të gjithë “Unazën e Vogël”, një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm, me ngarkesë, si për faktin se mbaruan disa nga ndërtesat ikonike të Tiranës, ashtu edhe për faktin se gjatë ditës ka një fluks të jashtëzakonshëm, sidomos përreth ministrive. Tani shtohet puna te KQZ-ja, këtu kemi Kishën Orthodhokse dhe Kishën Katolike, presim të hapet edhe Xhamia e madhe e Tiranës, çka do të thotë se në “Unazën e vogël” do të përqendrohet një pjesë e madhe e aktiviteteve, si administrative dhe qeveritare, ashtu edhe fetare, kulturore dhe turistike”, u shpreh Veliaj.

 

Ai dha lajmin e mirë për një terminal autobusësh urbanë, i cili pritet të vendoset në hapësirën prapa Teatrit të Operas dhe Baletit.

 

“Bashkë me OSHEE-në kemi marrë një vendim të ri, ku prapa Teatrit të Operas dhe Baletit do të kemi një pikë shkëmbimi për autobusët urbanë. Pra, nëse në Lundër edhe te “Kthesa e Kamzës” do të kemi terminalet për autobusët që vijnë nga rrethet, kurse autobusët e Tiranës që kryqëzohen në qendër, do ta kenë pikën në një terminal urban, pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Pra, këtu do të kemi një përqendrim të stacioneve të autobusëve, që sot janë kryesisht te zona e “Piacës” dhe Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht nga cila linjë vjen, nëse do shkëmbesh në një linjë tjetër në Tiranën qendrore, do të vijmë vetëm në një pikë të ndërrimit të autobusëve, edhe jo siç e kemi, gjatë gjithë ‘Unazës së vogël’”, njoftoi Veliaj.