Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli sot shembullin e Stanislavit, menaxheri i një prej kompanive çeke më prestigjioze të udhëtimit, i cili vizitoi stendën e Shqipërisë në panairin e turizmit në Berlin.
“Stanislavi, menaxheri i një prej kompanive çeke më prestigjioze të udhëtimit erdhi mysafir në “shtëpinë” tonë në Berlin duke na treguar gjithë përgatitjet e kompanisë për të sjellë rreth 20 mijë turistë nga Çekia e Sllovakia këtë verë në Shqipëri”, theksoi Kumbaro.
“70 mijë turistë çekë pritëm në 2023, për ta konsoliduar më tej ofertën që të jemi këtë vit zgjedhja numër 1 e tregjeve turistike të Evropës qendrore e lindore”, theksoi Kumbaro
Stanislav nga Cedok Travel Agency, u shpreh se, “do të udhëtojmë drejt vendit tuaj të mrekullueshëm, Shqipërinë. Kemi planifikuar 6 fluturime këtë verë, 3 nga Çekia dhe 2 nga Sllovakia. Po planifikojmë të kemi rreth 20 mijë klientë”.
“Shqipëria është shumë tërheqëse në sytë e shteteve tona, sepse ju keni plazhe, natyrë të bukur, ushqim të shkëlqyer dhe mbi të gjitha vende magjepsëse dhe njerëz të mrekullueshëm”, u shpreh ai.
“Është kënaqësi për ne të vijmë në Shqipëri dhe po planifikojmë edhe fluturimin e radhës, në verën e vitit 2025, kur të jetë hapur aeroporti i Vlorës. Le të kryqëzojmë gishtat për një biznes të suksesshëm”, theksoi Stanislav./ata