Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka dhe anëtarë të komisionit, zhvilluan sot një vizitë monitoruese në Bibliotekën Kombëtare, ku u pritën nga drejtori Piro Misha.

Gjatë takimit anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ngritën disa pyetje ndaj drejtuesit të Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, për t’u njohur më nga afër mbi sfidat, problematikat, aktivitetin e përditshëm dhe menaxhimin e pasurive të jashtëzakonshme që ka Biblioteka Kombëtare.

Drejtori i bibliotekës, Misha, gjatë fjalës së tij u shpreh se ka disa problematika, ku përmendi nevojën për hapësira më të mëdha për publikun dhe fonde investimesh.

Gjithashtu Misha u shpreh se, janë parashikuar disa projekte për Bibliotekën Kombëtare.

“Të rinjtë janë të detyruar të blejnë libra. Një bibliotekë e qytetit të Tiranës sot është një domosdoshmëri. Projektet janë por duhet të bëhen realitet. Kemi nevojë për salla të mëdha, kemi plot sfida dhe problematika. Kemi nevojë për një fushatë për pasuritë që ka Biblioteka Kombëtare. Parlamenti mund të bëjë që qytetarët të ndërgjegjësohen”, u shpreh Misha.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, Zëvendëskryetarja e komisionit, Evis Kushi dhe deputetët anëtarë të komisionit shprehën gatishmërinë për të mbështetur fushatën për Bibliotekën Kombëtare dhe projektet për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në përfundim të bashkëbisedimit, anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vizituan ambientet e Bibliotekës Kombëtare./ata