Shqipëria është zyrtarisht anëtare e Qendrës Europiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki.

Lajmin e dha sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se anëtarësimi kompleton pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të BE dhe NATO në këtë organizatë.

Kreu i qeverisë nënvizoi se, kështu mundësohet një qasje e unifikuar mes aleatësh kundër kërcënimeve hibride, Dizinformimit dhe Manipulimit të Informacionit nga Shtetet e Huaja.

Anëtarësimi u nënshkrua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Finlandë.

Hasani vizitoi Qendrën Evropiane për Kërcënimet Hibride në Helsinki.

Hasani gjithashtu pati takime me Presidentin Alexander Stubb, homologen Elina Valtonen.

Ministri Hasani u takua edhe me grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri – Finlandë.

Bashkëpunimi në sektorin e ekonomisë dhe turizmit, mbështetja e Finlandës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, mbështetja për Ukrainën si dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe kryesinë e OSBE-së për vitin 2025, janë disa prej temave që diskutoi gjatë takimeve ministri Hasani./ata