Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP), i cili parasheh licencimin e medieve online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Projektligji mori mbështetjen e 61 prej 62 deputetëve të pranishëm në seancë, mjaftueshëm sa për ta kaluar pengesën e parë.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

Legjislacioni parasheh që mediet online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e medieve online që prodhojnë përmbajtje audiovizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediet që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Ky legjislacion i nxjerrë nga qeveria e Kosovës dhjetorin e kaluar, ka nxitur kritika brenda dhe jashtë vendit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj medieve, duke shprehur shqetësimin se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediet.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ndryshimet në Projektligjin për KMP-në duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e medieve.

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediet online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediet për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj medieve dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj medieve në gjykatat e Kosovës. /REL